Connect with us

Politike

Rama në Konferencën e Romës: Ukraina nuk është autorja e kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës

Në Romë është duke u zhvilluar Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës nga ku Komisioni Evropian është angazhuar se do të japë 2.3 miliardë euro nga të cilat 1.8 miliard euro si kredi dhe 580 milionë euro si grante prej institucioneve ndërkombëtare, për ta mbështetur që të rindërtohet pas dëmeve kolosale që i është shkaktuar nga agresioni rus.

Merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama bashkë me disa liderë botërorë, përfaqësues të lartë të BE-së, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, për të koordinuar ndihmën konkrete dhe investimet strategjike në sektorët kyç të Ukrainës.

“Shqipëria është një vend i vogël me burime modeste pa asnjë fuqi për të ndryshuar shumë në fushëbetejë por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe miqtë tanë europianë,  kudo dhe kurdo Ukraina na do ketë nevojë për ne që të jemi. Ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë dhe të rindërtojë duhet të sigurohemi që mos ta lëmë paqen të jetë mendim i dytë. Ne nuk jemi komunitet luftëbërës dhe Ukraina nuk është autorja e kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës”, tha Rama.

Kryeministrja Giorgia Meloni dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky hapën takimin në një kohë kur Rusia ka përshpejtuar sulmet ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, duke lëshuar një numër rekord dronësh në dhjetë rajone gjatë kësaj jave.

“Kjo pjesëmarrje e gjerë dhe në nivel të lartë dërgon një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm për botën. Secili prej nesh është këtu për të bërë pjesën e vet për një qëllim të përbashkët: të shohim përtej padrejtësisë së padurueshme që i është shkaktuar popullit ukrainas për më shumë se tre vjet dhe të imagjinojmë tani një Ukrainë të rindërtuar, të lirë dhe të begatë”, tha Meloni.

Rusia gjithashtu është e ‘përgatitur’ për këtë takim tha presidenti Zelenski pasi sipas tij vetëm natën e kaluar, ata zhvilluan një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës – kryesisht duke goditur kryeqytetin tonë, Kyiv.

“Ju bëj thirrje të gjithë partnerëve tanë – rritni investimet tuaja. Kur Rusia rrit sulmet e saj, ne nuk mund të kemi mungesë financimi për prodhimin e dronëve. Më shumë se 30 shtete dhe qindra kompani janë të pranishme në këtë konferencë sot. Dhe ne duhet të arrijmë në një pikë ku mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe sektori i dronëve mbështeten nga më shumë se 30 shtete dhe nga qindra kompani, jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Evropa, SHBA dhe më gjerë”, tha Zelensky.

Sipas France 24  kjo konferencë në Romë shërben për të promovuar partneritete publike-private në fushat e mbrojtjes, minierave, energjisë dhe projekteve të tjera, ndërkohë që rritet pasiguria për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen e Kievit.

Advertisement