Aktualitet
Rama: RTSH të mbyllet/ Reagimet: Shkarko qeverinë tënde më parë
Ka shkaktuar reagime një deklaratë e kryeministrit Edi Rama që në një mbledhje me grupin parlamentar u shpreh në favor të mbylljes së Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Rama tha se RTSH është i mbytur në borxhe dhe se reforma ka dështuar.
“Unë mendoj që çdo gjë duhet, çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti edhe çdo gjë përveç kësaj që është, por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë ti e di në asnjë lloj tentative për të rregulluar median” – tha Rama.
Një reagim ka bërë regjisori Mevlan Shanaj që i ka kërkuar Ramës që para se të mbyllë RTSH-në, të mbyllë qeverinë e tij pasi është më shumë pis.
“Më parë shkarko qeverinë që është bërë shumë pis. Të dorëzohesh z. Kryeministër duke e braktisur RTSH do të thotë të mos kërkosh t’i bashkohesh Europës. Nuk ka shtet në Europë pa Televizion Publik. Më parë kërkoni dorëheqjen e stafit tuaj se sa mbylljen e Televizionit Publik.
Duhet të dini bashkë me ata që ju bëjnë fresk se Televizioni Shqiptar u krijua nga hiçi dhe u bë universiteti i dijes së shqiptareve edhe pse ishte nën komandën e politikës. Fjala dorëzim është një miklim për artistin Edi Rama. Në Europë do t’u mbyllet dera me këtë mendësi” – shkruan Shanaj.
Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi shkruan se zgjidhja nuk është mbyllja, por reformimi.
“Në një treg mediatik ku interesat e pronarëve privatë mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur nuk është luks, por një domosdoshmëri. RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke e mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim.
Ajo ka nevojë për një kontratë të re me publikun, të bazuar mbi transparencën, profesionalizmin dhe matjen reale të performancës. (Është vërtet humor se si në RTSH kanë hapësirë gazetarë që luftojnë orë e minute të bindin të gjallë e të vdekur nga një studio tv në tjetrën se mbështesin partinë në pushtet! Për çfarë profesionalizmi dhe besueshmërie flasim?!) Pa besimin e qytetarëve, edhe 100 lekë në muaj duket tarifë e padrejtë; pa mbështetjen e tyre, çdo reformë do të mbetet thjesht letër.
Mbyllja është një leksion nga historia e teknologjisë. Nokia nuk u shemb sepse i mungonin inxhinierët e zotë, por sepse besoi se emri dhe statusi do ta mbronin nga ndryshimi i kohës. RTSH-ja është sot në të njëjtën pikë: ose do të reformohet me guxim për t’i shërbyer publikut, ose do të mbetet një markë që të gjithë e kujtojnë me keqardhje, por askush nuk e ndjek më” – shkruan Dervishi.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin pas deklaratës së Ramës pak më parë, ku tha se Radio Televizioni Publik Shqiptar është dështim dhe se duhet të mbyllet, ose të privatizohet.
Sipas AGSH, opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.