Connect with us

Politike

Rama: S’ka më financim për studime jashtë vendit

Qeveria nuk do të financojë më studentët ekselentë për të studiuar jashtë vendit. Në ceremoninë e dhënies së medaljeve të arit, për nxënësit që kanë mbaruar gjimnazin me 10 absolute, Rama ka bërë me dije që mbështetje do u japin vetëm ekselenëtve që do të vazhdojnë shkollimin në Shqipëri.

Kreu i qeverisë tha se financimi do jetë për nga 200 deri në 400 studentë, me pagë minimale 34 mijë lekë, të cilët në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite, si në degën e mjekësisë, degët prioritare apo edhe degë të tjera. Pas mbarimit të studimeve, ata do jenë të detyruar të punojnë në Shqipëri dhe pas tre vitesh do t’u jepet diploma dhe mund të largohen jashtë nëse do kenë dëshirë.

Rama theksoi se nuk do të lejojnë më në asnjë mënyrë që studentët shqiptarë, të cilët financohen me taksat e tatimpaguesve shqiptarë të larohen dhe të mos japin asnjë kontribut për atdheun.

RAMA: Kështu që, ne nuk do financojmë më studime jashtë por do financojmë UFO-t këtu, pra, ata si ju apo të tjerë, kuptohet më të gjitha ato kritere dhe do bëjmë një financim të konsiderueshëm duke mos dhënë një bursë por një pagë, një pagë minimale natyrisht, por një pagë, për çdo student që është i këtij niveli.

Sigurisht që, tek mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë mes 200 dhe 400, në varësi se nuk i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi dhe duke parë dhe mesataren sesi ka qenë, midis 200 dhe 400 ne do japim një pagë për çdonjërin por ama askush që do hyjë në këtë sistem nuk do ta marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu dhe pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë, pa problem.

Jo vetëm kaq, por ne po punojmë që sistemi të funksionojë kështu për lëndët prioritare edhe për të tjerët sepse nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd, edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, në rast se të qëllon që të punosh në kushte të vështira se ka gjithmonë e më shumë kushte të mira për të punuar në një pjesë gjithmonë e më të madhe të sistemeve, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënd nëse shkon jashtë, në vend se të ikësh direkt sa ke mbaruar shkollën për të kërkuar atje të punosh në profesion.

Advertisement