Rajon
Raporti i vëzhguesve të BE-së konfirmon se Serbia dhe Vuçiç ushtruan presion mbi votuesit serb
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2024/09/VUCIC-7.jpg)
Shefja e Misionit Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, prezantoi gjetjet preliminare të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në raportin e publikuar, bëhet e ditur se shteti serb u ka bërë presion votuesve serb, për të votuar Listën Serbe. Gjithashtu bëhet e ditur se presioni iu është bërë votuesve që varen nga ndihmat sociale.
“Katër nga gjashtë partitë serbe të Kosovës morën pjesë në tri debate të nxehta televizive, ku sulmet verbale dhe retorika nxitëse lanë në hije diskutimet përmbajtësore. Përveç kësaj, partitë më të vogla u përballën me sfida për të bërë fushatën për shkak të resurseve të kufizuara dhe gjobave të shqiptuara nga PZAP pasi LVV-ja dorëzoi ankesa të shumta për vendosjen jo të përshtatshme të materialit të fushatës. Fushata e LS ishte më e spikatura nga partitë serbe të Kosovës, kryesisht përmes mediave të Serbisë dhe mediave të vogla serbe të Kosovës, në të cilat partitë e tjera politike nuk kishin, ose kishin qasje shumë të kufizuar. Bashkëbiseduesit shpesh raportuan se anëtarët e LS së u bënin presion votuesve të cilët varen shumë nga ndihma sociale e Serbisë ose punësimi në institucionet e menaxhuara nga Serbia në komunat serbe të Kosovës”, thuhet në raportin e publikuar sot.
Po, ashtu, për votuesit e Listës Serbe, thuhet se janë bërë edhe disa premtime se do të shpërndahen ndihma gjatë muajit shkurt. Sa i përket komunitetit serb, Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thekson se ky komunitet kryesisht mbështetet në mediat transmetuese nga Serbia për lajme. Në raport po ashtu u vlerësua se zgjedhjet ishin të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, duke testuar një kornizë të re ligjore, dhe se fushata ishte dinamike përkundër retorikës së ashpër që pasqyronte ndarjet e thella politike.
“Për më tepër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e mbështeti haptazi LS-në dhe u bëri thirrje votuesve të votojnë për këtë parti. Më 3 shkurt, drejtori i Zyrës për Kosovë njoftoi se do të shpërndahen 22,000 dinarë serbë (170 €) në muaj për personat në gjendje të vështirë sociale dhe të papunë, duke filluar me 5,000 përfitues që do i marrin kah mesi i shkurtit. Edhe pse transmetuesi publik RTK2 është i disponueshëm në të dhjetë komunat me shumicë serbe anembanë Kosovës dhe organizoi debate, shikueshmëria e tij e kufizuar i lë partitë opozitare joshumicë pa një kanal televiziv publik efektiv, duke lënë hapësirë minimale për fushatë, përveç mediave sociale. LS refuzoi të marrë pjesë në ndonjë debat të organizuar nga RTK2. Shumica e mediave online në gjuhën serbe e mbuluan fushatën, megjithatë TV Most dhe Kosovo Online u fokusuan pothuajse krejtësisht në aktivitetet e Listës Serbe”, thuhet në deklaratën preliminare të Misionit të BE-së.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)