Connect with us

Kronike

Rasti i dytë i vetëvrasjes brenda 2 muajve/ Prokuroria nis hetimet, zbulon nëse bullizimi është shkak

Një tragjedi e rëndë ka tronditur sërish Gjirokastrën! Kësaj here një 17-vjeçar, Vehip Peçi, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në fshatin Valarë më datë 20 Prill. I riu, nxënës i gjimnazit “Siri Shapllo”, ka vendosur që t’i japë fund jetës së tij duke u varur në banesën ku jetonte. Edhe pse prindërit tentuan që ta shpëtonin duke e transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, mjekët konfirmuan se ai kishte ndërruar jetë përpara mbërritjes.

Ai jetonte me nënën dhe dy motrat më të vogla, ndërsa babai i tij punonte si kuzhinier në një anije në Greqi, duke qenë shpesh larg familjes për periudha të gjata.

Sipas familjarëve të tij, adoleshenti po kalonte një periudhë të vështirë duke shfaqur shenja të izolimit dhe melankolisë. Disa herë ishte “rrëfyer” tek disa shokë më të afërt duke u treguar për gjendjen në të cilën ndodhej. Edhe pse mund të kishin kuptuar diçka më shumë, shokët thonë se nuk e kishin menduar që mund të ndërmerrte aktin e rëndë. Në dhomën e 17-vjeçarit grupi i hetuesve ka gjetur disa shënimet të tija ku dhe i kërkonte falje prindërve, mësuesve, psikologes që e ka trajtuar, madje dhe miqve të tij, për shqetësimet që mendonte se i kishte shkaktuar. Për rastin, hetimet kasnë nisur. Nga Prokuroria e Gjirokastrës, hetuesit kanë nisur marrjen në pyetje të të gjithë bashkëmoshatarëve dhe stafit të shkollës për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit po ndjekin disa pista, duke përfshirë ndonjë ndikim me natyrë fetare, megjithatë kjo nuk është konsideruar si pista kryesore. Por po ashtu adoleshenti konsiderohej si një i ri pa histori bullizmi ose izolimi të theksuar.

Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, Prokuroria njofton se nuk ka indicie që të tregojnë se ngjarja është pasojë e ngacmimeve apo bullizmit nga bashkëmoshatarët.

Njoftimi i Prokurorisë:

Informacion lidhur me ngjarjen e datës 20.04.2025

Në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2025, ku në ambientet e jashtme të banesës së tij në fshatin Valare, Gjirokastër është gjetur i vetëvarur, pa shenja jete, shtetasi i mitur V.P., i moshës 15 vjeçare, pasi Komisariati i Policisë Gjirokastër ka njoftuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në prezencë të prokurorit të seksionit për të mitur dhe prokurorit të gatshëm, me urdhër të Drejtuesit të Prokurorisë, është krijuar menjëherë grupi hetimor, për trajtimin e çështjes.

Nën drejtimin e prokurorisë janë kryer veprimet e para hetimore, të cilat konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor, sekuestrimin e telefonave, aparateve kompjuterike si dhe këqyrja e tyre, sekuestrimi i materialeve shkollore të fëmijës së mitur, si dhe janë marrë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të ngjarjes të punonjësve përgjegjës për trajtimin e të miturit.

Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, nuk konstatohet asnjë e dhënë apo indice e cila të dëshmojë se veprimi i kryer nga ana e të miturit, ka si shkak ngacmimet apo sjelljet bullizuese nga bashkëmoshatarët e tij. Prokuroria Gjirokastër po vijon me prioritet të veçantë hetimet, në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe të veprimeve të kryera nga ana e autoriteteve përgjegjëse, kompetente lidhur me trajtimin e rastit së të miturit V. P.

Ky rast tragjik ndodh vetëm dy muaj pas vetëvrasjes së një tjetër adoleshenteje, Irsa Meçollari, e cila ishte nxënëse në të njëjtën shkollë. Deri tani, autoritetet nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë lidhje të evidentueshme mes dy rasteve, por megjithatë kanë nisur hetimet për të kuptuar nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Advertisement