Connect with us

Lifestyle

Reçeli i karrotës, ëmbëlsia natyrale në kuzhinë

Karrotat përcjellin një ëmbëlsi natyrale dhe një shije të butë.

Karrotat rriten mjaft lehtë, kushtojnë pak dhe përmbajnë 1 përqind pektinë. Këto karakteristika e bëjnë karrotën të përshtatshme për përgatitjen e një reçeli të veçantë.

Reçeli i karrotës është një ëmbëlsirë krejt e veçantë e traditës shqiptare. Ai përgatitet nga amvisat në shumë zona të Shqipërisë, veçanërisht në Përmet e Berat, ku tradita e glikove dhe reçelit është një art më vete. Ky reçel, veç shijes unike ka edhe shumë vlera, të cilat nuk humbin gjatë përgatitjes.

Përgatitja e reçelit

Lajini, qërojini dhe grijini karrotat. Hidhini në një tigan të thellë dhe përziejini me sheqerin.

Grini hollë lëkurën e një limoni dhe një portokalli dhe hidheni në tigan. Shtrydheni lëngun e limonit dhe portokallit dhe shtojini së bashku me arrëmyshkun dhe kanellën, sipas dëshirës.

Shtoni një litër me ujë dhe lërini të gjithë përbërësit të ziejnë. Sigurohuni që sheqeri ka shkrirë

Lërini karrotat të ziejnë fort për pesë minuta dhe më pas për 30 minuta të tjerë në një temperaturë më të ulët deri sa e gjithë masa të ketë arritur strukturën e duhur.

Nëse dëshironi të provoni që masa e reçelit është lidhur siç duhet atëherë hidhni një sasi të vogël në një pjatë të ftohtë të cilën e keni vendosur më parë në ngrirje.

Nëse lëngu mblidhet si shurup apo ka trashësinë e duhur atëherë është gati për t’u hedhur në kavanozët e larë dhe të sterilizuar.

Si fillim hiqni çdo gjurmë shkume apo bulëze që mund të jetë formuar në enën e gatimit. Nëse lëngu i karrotës nuk ka marrë trashësinë e duhur, atëherë vazhdoni ta zieni deri sa të jetë gati.

Përbërësit

  • 1 kg karrota
  • 1.5 kg sheqer
  • 1 litër ujë
  • 2 lugë çaji me kanellë pluhur ose shkopinj kanelle
  • 1 lugë çaji me arrëmyshk pluhur ose arrëmyshk të freskët e të grirë
  • 2 limonë
  • 1 portokall
Advertisement