Aktualitet
Reshjet e shumta, Ministria: Mbeten ende të bllokuara…
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën në vend pas reshjeve të shumta të ditës së djeshme.
Në njoftim bëhet me dije se situata në qarkun e Kukësit paraqitet më e qetë, ndërsa sa i përket Tropojës, është duke vijuar puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave.
Ministria ka bërë edhe një listim të rrugëve kur qarkullimi i është rikthyer normalitetit dhe atyre që mbeten ende të bllokuara.
Njoftimi i plotë:
Situata në qarkun e Kukësit, pas reshjeve të ditës së djeshme, sot paraqitet më e qetë. Sipas informacioneve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, në bashkinë Tropojë ku pati dëme, gjendja është normalizuar, ndërkohë që vazhdon puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave. Në mbështetje të forcave në terren po punojnë mjete dhe forca e batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile. Ndërsa bashkia ka ngritur grupet e vlerësimit të dëmeve.
Aktualisht në territorin e bashkisë Tropojë:
– Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. (Curri-Valbonë,Ura e Bujanit-Qafe Morine, Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan-Tropojë-Buçaj,B.Curri-Cërrnicë dhe B.Curri –Fierzë)
– Rruga Lekbibaj- Fierzë është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve, po punohet me mjetet e bashkisë për zhbllokimin e segmentit rrugor Lekbibaj-Sheshi i trageteve Fierzë.
– Po punohet nga grupet e punës së OSHEE për riparimin e defektit në nënstacionin elektrik në Gropë Fierzë dhe rikthimin e energjisë në njësinë administrative Fierzë dhe fshatin Valbonë.
– Në fshatin Degë njësia administrative Fierzë është dërguar një fadromë në mbështetje të komunitetit.
Në qarqet e tjera të vendit situata është e qetë dhe nuk janë vërejtur problematika.