Connect with us

Kosova

Rikthimi te “marrëveshja historike”, a mund të takohen Kurti dhe Vuçiq në shtator?

Pasi tensionet në terren eskaluan deri në dhunë rreth dy muaj pas marrëveshjes së finalizuar në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet të ulen sërish në tavolinën e dialogut.

Perëndimi e konsideron ende historike marrëveshjen e finalizuar në Ohër. Kështu e quajti edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili e vizitoi Maqedoninë e Veriut të premtën.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha së fundmi në një intervistë në programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se pret që në drejtim të shtensionimit të situatës të ketë lëvizje të reja në shtator, pasi e konsideron urgjente “një përparim në këtë çështje”.

Vetëm tri ditë pas finalizimit të marrëveshjes në Ohër, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak pati thënë se s’është sekret që ata duan që zbatimi i saj të bëhet këtë vit.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot ka thënë në një intervistë në fund të korrikut se “duhet të organizohen takime të reja të nivelit të lartë”, duke i inkurajuar palët që “të mbajnë një qëndrim konstruktiv për të arritur zbatimin e kësaj marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kthim urgjent te zbatimi i marrëveshjes kërkon SHBA-ja. Ambasadori amerikan në Prishtinë. Jeffrey Hovenier ka thënë para pak javësh se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ndodh gjithashtu shpejt.

 

Advertisement