Connect with us

Bota

GJENDJA MENDORE E DONALD TRUMP E RREZIKSHME

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen mendore të Presidentit amerikan Donald Trump, pas një takimi ballë për ballë në rezidencën Mar-a-Lago në Florida, sipas disa diplomatëve evropianë të informuar mbi bisedat mes liderëve të BE-së, raporton Politico.
Sipas pesë diplomatëve evropianë, Fico u ka treguar homologëve të tij gjatë një samiti të Bashkimit Evropian javën e kaluar në Bruksel se ishte “i shokuar” nga mënyra se si Trump u shfaq gjatë takimit të 17 janarit. Dy prej diplomatëve thanë se kryeministri sllovak e përshkroi gjendjen psikologjike të presidentit amerikan si “të rrezikshme”.
Diskutimi u zhvillua më 22 janar, në kuadër të një samiti emergjent të BE-së për marrëdhëniet transatlantike, i thirrur pas deklaratave të Trump për marrjen e Groenlandës dhe kërcënimeve për tarifa ndaj vendeve evropiane. Sipas burimeve, Fico i bëri komentet gjatë një takimi informal mes disa liderëve dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, jashtë seancave zyrtare.
Komentet e Ficos kanë peshë të veçantë, pasi ai konsiderohet një nga politikanët më pro-Trump në Evropë. Ai ka mbështetur shpesh qëndrimet e presidentit amerikan, përfshirë qasjen e Washingtonit ndaj luftës Rusi-Ukrainë, dhe ka theksuar publikisht aksesin e tij të drejtpërdrejtë te Trump. Vetëm një vit më parë, Fico foli në konferencën konservatore CPAC në SHBA, ku deklaroi se “presidenti juaj po i bën Evropës një shërbim të madh”.
Megjithatë, sipas diplomatëve, pas takimit në Mar-a-Lago, Fico u shfaq i tronditur, madje një prej tyre tha se ai e kishte përshkruar Trumpin si “jashtë kontrollit”. Detajet konkrete të asaj që Trump i ka thënë Ficos nuk janë bërë të ditura.
Pas publikimit të lajmit, kryeministri sllovak reagoi ashpër në rrjetin social X, duke mohuar kategorikisht raportimet. Ai i cilësoi ato si “gënjeshtra” dhe tha se nuk kishte folur fare në samitin informal në Bruksel për takimin me Trump. Fico shtoi se, ndonëse nuk pajtohet me të gjitha strategjitë e presidentit amerikan, ai e vlerëson takimin dhe faktin që vizita e tij në SHBA nuk u anulua, pavarësisht kritikave të tij publike ndaj politikave amerikane për Venezuelën.
Nga ana e Shtëpisë së Bardhë, një zëdhënëse e presidentit Trump e quajti lajmin “fake news total”, duke thënë se takimi ishte pozitiv dhe produktiv. Edhe një zyrtar i lartë amerikan, i pranishëm në takim, deklaroi se nuk kishte pasur asnjë moment të sikletshëm dhe se biseda ishte normale, madje e shoqëruar me nota humori.
Megjithatë, rrëfimet e diplomatëve evropianë sugjerojnë se takimi ka lënë pas shqetësime serioze mes disa liderëve të BE-së, duke shtuar pasiguritë për marrëdhëniet transatlantike në një moment tensionesh të larta politike dhe diplomatike.
Advertisement