Sociale
Rritet çmimi i druve të zjarrit, pensionistët ankohen
Çmimi i druve të zjarrit këtë vit ka pësuar rritje në krahasim me vitet e shkuara. Pavarësisht kostos së lartë ku një metër kub tregtohet me rreth 7500 lekë, qytete të ftohta si Korça ku temperaturat në dimër janë ekstremisht të ulëta, blerjen e druve e kanë domosdoshmëri.
Vështirësitë më të mëdha për të siguruar dru për ngrohje, i kanë pensionistët.
“Lashë dy pensione, mezi i mora. 7000 lekë i kam marrë. Çmimet janë të lartë, çfarë të bëjmë? Lamë një gjë tjetër mangute morëm drutë se këtu pa dru nuk rri dot”, u shpreh një pensionist.
Të tjerë, thonë se do të gjejnë metoda alternative për t’u ngrohur.
“Do të ngrohemi me ato që kemi”, tha një qytetare.
Përpos rritjes së çmimit, korçarët po përballen edhe me mungesën në treg të lëndës drusore. Fushat e druve këtë vit nuk punojnë me kapacitet të plotë. Shkak i kësaj mungese mësohet se është jo vetëm ulja e importit të lëndës drusore nga vendet e tjera por edhe zbatimi i moratoriumit të pyjeve.