Bota
Rusia kërcënon: Dënimi i Dodik-ut do të ketë pasoja të dëmshme

Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur besimin se dënimi i presidenti nacionalist i Republikës Srpska (RS) – entiteti serb në Bosnje Hercegovinë – Milorad Dodik, me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet për ndalim të veprimtarisë politike, do të ketë pasoja të dëmshme për situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe në përgjithësi në Ballkan.
“Ndjekja penale e Milorad Dodikut është e një natyre politike, e frymëzuar nga Perëndimi, i cili, përmes kukullave të tij në organet gjyqësore të BeH-së, shpreson të eliminojë nga skena politike forcat patriotike të RS që i rezistojnë neo-kolonializmit euroatlantik”, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.
Dodik të mërkurën e 26 shkurtit është dënuar me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet për ndalim të veprimtarisë politike. Ai u dënua për kryerjen e veprës penale të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit së Lartë. Ky është një vendim i shkallës së parë që mund të apelohet.
Dodik akuzohej për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë.
Në deklaratat e tij përfundimtare, Dodik, tha se “ne duhet të luftojmë së bashku në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mos jetë më protektorat, por të rifitojë sovranitetin e saj”.
Ai vazhdimisht përsëriti se Schmidt është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë vendim të ndonjë institucioni që thotë se ai është përfaqësues i Lartë, prandaj, Dodik argumentoi se Schmidt nuk ka legjitimitet që të ndryshojë ligje.

