Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zbuluar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më 17 qershor, gjatë së cilës ka refuzuar një propozim të Moskës për të ndërmjetësuar në tensionet mes Iranit dhe Izraelit.
“Fola me të dje,” deklaroi Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, pa dhënë detaje të tjera rreth përmbajtjes së bisedës, sipas agjencisë ruse Interfax.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se nuk është i interesuar, të paktën për momentin, për ofertën e Putinit që Rusia të marrë rolin e ndërmjetësit në konfliktin në Lindjen e Mesme.
“Ai më propozoi të ndihmonte në ndërmjetësim. I thashë: ‘Bëj një nder, më mirë merru me vendin tënd. Le të ndërmjetësojmë më parë për Rusinë. Me pjesën tjetër merremi më vonë’”, ka deklaruar Trump, duke lënë të kuptohet se prioritetet e Moskës duhet të jenë brenda kufijve të saj.