Bota
Rusia provokon me dron në Poloni/ NATO tregon ‘muskujt’, nis operacionin ‘Roja Lindore’

NATO ka nisur një Operacion për të përforcuar mbrojtjen e krahut lindor të Evropës pas një ndërhyrjeje ajrore ruse me dron në hapësirën ajrore polake këtë javë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se operacioni “Roja Lindore” do të fillojë në ditët në vijim dhe do të përfshijë asete nga Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe të tjera. Rutte tha se inkursioni me dron i rrezikshëm dhe i papranueshëm i Rusisë të mërkurën nuk ishte një incident i izoluar.
“Eastern Sentry do t’i shtojë fleksibilitet dhe forcë qëndrimit tonë dhe do ta bëjë të qartë se, si një aleancë mbrojtëse, ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbrohemi. Pakujdesia e Rusisë në ajër, përgjatë krahut tonë lindor, po rritet në frekuencë”, tha Rutte.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjenerali Amerikan Alexus Grynkewich, tha se operacioni, i cili do të jetë “fleksibël dhe i shpejtë”, do të përfshijë aftësi të zgjeruara, mbrojtje të integruara ajrore dhe tokësore dhe shkëmbim të shtuar të informacionit midis partnerëve të NATO-s. Grynkewich vuri në dukje se do të duhet pak kohë që i gjithë operacioni të përfundojë, por hapat e parë do të fillojnë “menjëherë”.
Sipas një njoftimi për shtyp nga aleanca, midis pajisjeve të dedikuara për operacionin janë dy avionë luftarakë F-16 dhe një fregatë luftarake kundërajrore nga Danimarka, tre avionë Rafale nga Franca dhe katër Eurofighter nga Gjermania.
“Edhe pse fokusi ynë është te Polonia, kjo situatë i tejkalon kufijtë e një kombi. Ajo që prek një aleat na prek të gjithëve”, tha Grynkewich.
Gjithashtu Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake ka publikuar një video ku shihet një avion francez A400 duke u ulur në aeroportin Minsk Mazouiecki. Ky avion transportoi armë për avionët luftarakë Rafale, të cilët tashmë ndodhen në territorin polak. Ndërkohë Polonia e ka cilësuar ndërhyrjen si të qëllimshme, ndërsa Rusia e ka minimizuar rëndësinë e saj. Ky është rasti më i rëndë i këtij lloji që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

