Connect with us

Politike

Salianji ashpërson tonet ndaj Flamur Nokës

Pas përplasjes në distancë që kanë pasur muajt e fundit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar publikisht qëndrimin ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, duke deklaruar se ky i fundit “nuk kapërcen dot kufijtë shtetërorë”.

Në një intervistë për Klan News, Salianji hodhi poshtë akuzat e bëra nga Noka, sipas të cilave takimet e tij politike do të ishin organizuar nga elementë të krimit. Ai i cilësoi këto pretendime si të pabaza dhe fyese, duke theksuar se gjatë gjithë aktivitetit të tij politik ka qenë një nga zërat më të fortë kundër grupeve kriminale në Shqipëri.

“Thuaje një akuzë dhe faktoje. Këto janë idiotësi. Unë kam qenë denoncuesi më i madh i krimit në këtë vend, nga Suel Çela në Elbasan, te Bajrat në Shkodër, Troplinët në Durrës, Xhafajt në Vlorë dhe shumë të tjerë. I kam denoncuar me emër dhe mbiemër dhe kam thirrur interpelanca për ta”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se në politikë, ashtu si në jetën publike, ekzistojnë kufij që nuk duhet të kapërcehen, veçanërisht kur bëhet fjalë për akuza të pabazuara. Në këtë kontekst, Salianji deklaroi se nuk mund të pranohen akuza nga njerëz që, sipas tij, “nuk kapërcejnë dot kufij të tjerë shtetërorë”.

I pyetur konkretisht se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë, Salianji zgjodhi të mos hyjë në detaje, duke theksuar se nuk ka asgjë personale me askënd, por se akuzat ndaj tij janë të padrejta dhe të papranueshme. Ai përmendi edhe rastin e Elbasanit, ku sipas tij është akuzuar publikisht një person me emër dhe mbiemër, ndërsa më pas janë publikuar foto të këtij individi me sekretarin e përgjithshëm të PD-së.

Salianji kujtoi se ka qenë drejtues politik i PD-së në Elbasan dhe se është dërguar aty pikërisht për të luftuar krimin e organizuar, jo për lidhje me të. “Unë jam njeriu simbol i luftës ndaj krimit të organizuar dhe i kostove që vijnë nga përballja me të,” theksoi ai.

Në fund të intervistës, i pyetur nëse deklarata për “kufijtë shtetërorë” lidhej me ndalim udhëtimi apo me qëndrime ndërkombëtare, Salianji sqaroi se e kishte përdorur shprehjen në mënyrë metaforike, duke mbyllur kështu debatin publik me Nokën.

Advertisement