Rajon
Samiti i OSBE në Shkup, marrin pjesë Blinken dhe Lavrov!
Maqedonia e Veriut mirëpret nga kjo e mërkurë deri më 1 dhjetor mbledhjen e Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së që do të mbahet në Shkup me pjesëmarrjen e 1 mijë delegatëve.
Në ngjarjen më të madhe politike të organizuar që nga pavarësia marrin pjesë 76 delegacione nga 57 vende anëtare dhe shtete partnere të organizatës. Takimi do të shënojë praninë e diplomatëve të SHBA-së dhe Rusisë, Anthoni Blinken dhe Sergej Lavrov, një nga ngjarjet e rralla që do t’i gjejë të dy në të njëjtin vend që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Edhe pse nuk ka asnjë njoftim për një takim Blinken-Lavrov, analistët nuk përjashtojnë mundësinë e bisedimeve për një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë. Blinken do ta nisë vizitën me një takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani.
Për ardhjen e shefit të diplomacisë së Federatës Ruse Lavrov, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria përkohësisht i pezulluan sanksionet e vendosura nga BE-ja për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus të Ukrainës. Pas pranisë së konfirmuar të Lavrovit, forumin vendosën ta bojkotojnë ministrat e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba dhe të vendeve baltike – Estonia, Letonia e Lituania.
Në takimin ministror priten vendime për zgjedhjen e kryesuesit për vitin 2024.
Zyrtarisht forumi do të jetë i hapur nesër më orën 10.00 në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” e cila është shndërruar dhe përgatitur për Takimin Ministror.
Në ditën e parë është planifikuar nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit, e cila do të pasohet nga adresimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë njerëzore në zonën OSBE.