Polemikat e shkaktuara nga vala e njohjeve të shtetit palestinez po transferohen në selinë e OKB-së, pasi sot do të zhvillohet seanca kryesore mbi zgjidhjen me dy shtete.

Në Samitin, i cili do të kryesohet nga Franca dhe Arabia Saudite, pritet të shpallen edhe njohje të tjera të shtetit të Palestinës.

Izraeli e konsideron konferencën e Nju Jorkut si një “cirk” dhe ka premtuar t’i përgjigjet valës së njohjeve të shpallura në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti palestinez Abbas, i cili do të shfaqet nëpërmjet videokonferencës pasi i është ndaluar hyrja në SHBA, foli të dielën për “një hap drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Kush pritet ta njohë shtetin palestinez sot?

Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja dhe Portugalia e njohën zyrtarisht shtetin palestinez të dielën.

Në konferencën e OKB-së, të bashkëorganizuar nga Presidenti francez Macron dhe Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman më vonë sot, pritet që vendet e tjera ta njohin zyrtarisht shtetin palestinez. Këto vende janë: Francë, Luksemburg, Andorra, San Marino, Maltë dhe Belgjikë.

Më shumë se tre të katërtat e 193 anëtarëve të OKB-së e kanë njohur tashmë shtetin palestinez. Midis atyre që nuk e kanë njohur janë SHBA-të, Izraeli, Italia dhe Gjermania.

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha se po e shqyrtonin këtë mundësi, por një vendim nuk do të shpallet para kësaj jave.