Rajon
Serbët e veriut kanë hapur sytë/ ‘Kossev’ me një zë ndryshe
“Qeveria e Aleksandër Vuçiqit vazhdon të ketë ndikim te serbët në Kosovë. Subjekti politik serb është shkatërruar sistematikisht gjatë 12 viteve të fundit – ekzekutimi është kryer më 16 janar 2018 dhe është certifikuar më 24 shtator në Banjska. Serbët në Kosovë goditen dyfish nga Prishtina dhe Beogradi. Për disa janë të padëshirueshëm, për të tjerë dëshmitarë të pakëndshëm. Disa i bëjnë të pakuptimtë, të tjerët i diskriminojnë” – kështu thotë Tatjana Lazarevic, kryeredaktore e portalit Kossev në veri të Kosovës.
“Marrëdhëniet ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar janë acaruar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Që të dy veprojnë nga pozita e vetëviktimizimit dhe duke akuzuar palën tjetër për keqbërje. Dialogu mungon dhe hapësira publike është e kontaminuar nga urrejtja, nxitja e dhunës dhe propaganda nga të dyja palët. Komuniteti serb është gjithashtu i dominuar nga frika. Vetëvendosja ka rritur pritshmëritë e elektoratit të saj kur është fjala për qëndrimin ndaj Serbisë, veriut të Kosovës, si dhe një lloj revizionizmi historik. Kjo situatë përkon pikërisht me ndryshimin e pushtetit në Prishtinë. Njëzet e pesë vjet pas konfliktit, pajtimi i popullit serb dhe shqiptar nuk ndodhi, por jeta u normalizua me kalimin e viteve në nivelin e komunikimit konstruktiv, dialogut dhe bashkëpunimit – qoftë në nivel individual apo lokal-komunal; apo edhe, në mënyrë episodike, mes vetë palëve negociuese. Një praktikë e tillë u ndërpre me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes” – theksoi Lazareviç
“Popullariteti i Aleksandër Vuçiçit në Kosovë është në nivelin më të ulët që prej ardhjes së tij në pushtet më shumë se 10 vjet më parë. Sot rrallë mund të takosh një serb në Kosovë, mbi të gjitha në Veri, i cili i beson te ai pa kushte, siç deri para një viti. Këtë realitet nuk mund ta kapërcejnë mediat rreth tij” – deklaroi kryeredaktorja e Kossev.