Rajon
Serbia e pranon hapur: Spiunët rusë ndihmojnë në shtypjen e protestave

Zëvendëskryeministri i Serbisë tha të premten se shërbimet ruse të spiunazhit kishin ndihmuar autoritetet e Beogradit që t’i përgjigjeshin protestave disamujore antiqeveritare, komente për të cilat kritikët thanë se zbuluan se qeveria serbe ishte bërë e varur nga Moska.
Studentët, të mbështetur nga mësuesit, fermerët dhe punëtorët, kanë mbajtur protesta të përditshme në të gjithë Serbinë që nga nëntori i kaluar, kur 16 persona vdiqën nga shembja e çatisë në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, për të cilin ata fajësojnë korrupsionin.
“Jam shumë mirënjohës për shërbimet speciale të Rusisë, të cilat na mbështesin gjithmonë në luftën tonë kundër revolucioneve me ngjyra, kryesisht me informacion. Ata e dinë se çfarë rreziku qëndron mbi Serbinë”, tha zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve të Rusisë RIA
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i përshkruan protestat si përpjekje për të ngritur një “revolucion me ngjyra”, një referencë ndaj protestave pro-perëndimore të cilat rrëzuan qeveritë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Kirgistan në dekadat e fundit.

