Connect with us

Kronike

Serbia mobilizon ushtrinë në veri të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë. Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës, nga 1 nëntori, nis me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.

Ky plan pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Vuçeviq tha për Televizionin Happy në Serbi se Vuçiq, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.

“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviq. Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.

Advertisement