Rajon
Serbia teston kufijtë e zgjerimit/ Modeli rus i ‘Botës Serbe’
E përditshmja konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka botuar një koment në të cilin thekson se krizat në veri të Kosovës dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku lideri i serbëve Millorad Dodik po përpiqet të demontojë këtë vend, janë të ndërlidhura mes vete.
Sipas gazetes, Serbia po teston kufijtë sa larg mund të shkojë dhe Beogradi nuk ka hequr kurrë dorë nga “Serbia e Madhe”. Ky projek tani mban vulën e një nocioni tjetër, atë të “botës serbe”, një formulim jo rastësisht i huazuar nga modelet ruse.
Media gjermane nënvizon se nga njëra anë, Serbia aktualisht është duke e furnizuar Ukrainën me armë, prandaj BE dhe SHBA-të nuk janë të gatshme t’i bëjnë asaj presion, kurse nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës nuk po i lexon siç duhet shenjat e kohës, teksa raportet me SHBA-në, mbrojtësen më të rëndësishme të projektit të shtetësisë së Kosovës, kanë arritur pikën më të ulët.
E përditshmja konservatore gjermane shkruan se “Në Washington dhe Bruksel ekziston pikëpamja se pakicës serbe në Kosovë duhet t’i lejohet themelimi i një bashkësie komunash për të vetëqeverisur jetën e përditshme, sipas edhe marrëveshjeve të nënshkruara në vitet 2013 dhe 2015 nga paraardhësi i Albin Kurti, i akuzuari për krime lufte Hashim Thaçi.
Gazeta thekson se pranimi i asociacionit të komunave serbe është i vështirë për Kosovën, sepse Prishtina me të drejtë mund të pyes se çfarë fiton Kosova si kundërshpërblim nëse edhe njëherë i zgjeron të drejtat.
Shqetësimet në Prishtinë se asociacioni mund të paraqes rrezik ashtu si republika e serbëve në Bosnjë, sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, janë të tepruara. Pakica serbe në Kosovë numerikisht nuk e ka fuqinë ta shkatërrojë shtetin kosovar.