Kosova
Servilizimi i Petkoviçit nuk ka kufi: Derisa kemi Vuçiçin, beteja për Kosovën nuk do ndalet
Drejtori i zyrës për Kosovën në parlamentin serb, Petar Petkoviç, me propagandën e tij të pa imagjinatë, përpiqet që kapitullimin e shtetit serb ta “interpretojë” si marrëveshje për “mbrojtjen e serbëve dhe të Serbisë”, duke deklaruar se “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është dokument ligjërisht obligues “për mbrojtjen e popullit serb” në Kosovë, por edhe për “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë”.
“Është ende një dokument ombrellë, ligjërisht i detyrueshëm për mbrojtjen e popullit serb në zonën e Kosovës dhe Metohisë, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë, përkundër të gjitha përpjekjeve të Prishtinës dhe Albin Kurtit që të minimizohet rëndësia e kësaj marrëveshjeje duke shkelur çdo ditë të drejtën ndërkombëtare” – ka pretenduar Petkoviç, i cili është edhe kryenegociatori serb në dialogun me Kosovën.
Për të mbështetur këto deklarata të kota, Petkoviç gjithashtu ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare e cila po e ndihmon Kosovën.
“Sot jemi dëshmitarë se shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare po shkelin haptas të drejtën ndërkombëtare publike dhe postulatet që përmban Rezoluta 1244, duke ndihmuar dhe armatosur haptas të ashtuquajturat Forca të Sigurisë së Kosovës, edhe pse të gjithë e dinë se formacionet e vetme të armatosur në territorin e Kosovës mund të jenë njësi të KFOR-it” – ka pretenduar Petkoviç i cili gjithashtu është shprehur :- “Derisa kemi Aleksandar Vuçiqin, lufta jonë për Kosovën dhe Metohinë do të zhvillohet me intensitetin dhe vrullin e pashuar të argumenteve që na jep e drejta ndërkombëtare”.