Connect with us

Bota

SHBA kalon në sulme tokësore në Venezuelë, Trump pranon goditjen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane kanë goditur dhe shkatërruar një zonë portuale ku, sipas tij, ngarkoheshin anije të përdorura për trafikun e drogës nga Venezuela.

Lëvizja mund të përbëjë goditjen e parë tokësore në kuadër të fushatës ushtarake amerikane kundër trafikut të drogës nga Amerika Latine, raporton AFP-ja.

Deklarata u bë të hënën nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida, gjatë pritjes së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Pati një shpërthim të madh në zonën e dokut ku ngarkonin anijet me drogë”, tha Trump para gazetarëve. “Ne goditëm të gjitha anijet dhe tani goditëm edhe zonën ku bëhej operacioni. Ajo zonë nuk ekziston më”.

Trump nuk pranoi të specifikojë nëse operacioni ishte ushtarak apo i kryer nga CIA, as vendndodhjen e saktë të goditjes, duke u kufizuar të thotë se ndodhej “përgjatë bregut”.

Konfirmimi vjen në një moment kur administrata Trump po rrit presionin ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro, të cilin Washington-i e akuzon për lidhje direkte me trafikun e drogës.

Maduro, nga ana e tij, ka akuzuar Trump se synon ndryshimin e regjimit në Venezuelë.

I pyetur nëse kishte komunikuar së fundmi me Maduron, Trump tha se kishin folur “kohët e fundit”, por shtoi se “asgjë e rëndësishme nuk del nga këto biseda”.

Presidenti amerikan ishte pyetur të sqaronte edhe deklarata të mëparshme të bëra në një intervistë radiofonike në New York, ku për herë të parë la të kuptohej se SHBA kishte kryer një goditje tokësore.

“Ata kanë një impiant të madh, një strukturë të madhe nga ku nisen anijet”, kishte thënë Trump. “Dy netë më parë e shkatërruam atë. I goditëm shumë fort.”

Trump ka paralajmëruar prej javësh se goditjet tokësore kundër karteleve të drogës në rajon do të nisnin “së shpejti”.

Që nga shtatori, forcat amerikane kanë kryer dhjetëra sulme në Detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor lindor, duke shkaktuar mbi 100 viktima.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime se këto operacione mund të përbëjnë ekzekutime jashtëgjyqësore, akuza që Washington-i i ka hedhur poshtë.

Ndërkohë, administrata Trump ka ashpërsuar masat ndaj Venezuelës, përfshirë bllokimin e cisternave të naftës dhe sanksione të reja ekonomike.

Advertisement