Connect with us

Bota

SHBA kërkon që Gjermania të marrë komandën e NATO-s në Evropë

Shtetet e Bashkuara duan që Gjermania të marrë komandën e forcave të NATO-s në Evropë, ka deklaruar i dërguari i presidentit Donald Trump në Aleancë, Matthew Whitaker.

Ambasadori amerikan në NATO tha gjatë Konferencës së Sigurisë në Berlin se pret që Gjermania të tregojë gatishmëri për të marrë postin e Komandantit të Lartë të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR).

“Pres ditën kur Gjermania do t’i drejtohet SHBA-ve dhe të thotë se është gati të marrë komandën e SACEUR-it. Mendoj se jemi ende larg asaj dite, por mirëpres nisjen e këtyre diskutimeve”, u shpreh Whitaker.

Deklarata e tij befasoi panelistët, ndërsa përfaqësuesi i Gjermanisë në NATO dhe BE, Gjeneral Leitnant Wolfgang Wien, tha se Berlini është i gatshëm të marrë më shumë përgjegjësi në Aleancë, por aktualisht e sheh pozicionin e SACEUR-it si rol i Shteteve të Bashkuara.

Posti i SACEUR është një nga dy komandat strategjike të NATO-s dhe drejton operacionet e Aleancës.

Tradicionalisht, ky pozicion ka qenë gjithmonë në duart e një komandanti amerikan.

Aktualisht, funksionin e mban Gjeneral Alexus G. Grynkewich, që nga 4 korriku i këtij viti.

Në një postim në platformën X, Whitaker theksoi se aleatët duhet të përmbushin angazhimet e Samitit të Hagës, duke përfshirë investimet në mbrojtje, rritjen e bashkëpunimit industrial, forcimin e rezistencës dhe mbajtjen e kohezionit të Aleancës, të cilin e quajti “avantazhin tonë më të madh strategjik”.

Advertisement