Kosova
SHBA reagon pas dorëheqjes së Vulinit si drejtor i BIA-s
Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Ai, në një deklaratë me shkrim tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian “po kërkojnë kokën e tij si kusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë”.
Nga ana tjetër, Ambasada amerikane në Beograd u përgjigj se “SHBA nuk ka asnjë rol në vendimet e personelit të autoriteteve serbe”
“Pozicioni ynë për Vulinin dihet mirë. Ai mbetet nën sanksionet amerikane. Mezi presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të plotë të saj në Evropë dhe në komunitetin euroatlantik” – thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Beograd.
Në muajin korrik, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Vulinit për përfshirje të dyshuar në krimin transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan.
Vulin i hodhi poshtë këto akuza dhe ambasada amerikane njoftoi se sanksionet nuk ishin të drejtuara kundër institucioneve serbe.