Politike
Sherri Lapaj-Shabani për 1 mandat/ Qori nuk ‘kursen’ asnjërin: Mua ata më akuzonin si egoist, unë si dal fjalës që them

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka komentuar përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabani për mandatin e deputetit. I ftuar në emisionin “Studio Live”, Qori nuk u kursye ndaj asnjëri prej tyre, teksa i quajti parti shampanjë që kërcasin një herë dhe zhbëhen. Ai shtoi se përlasja virtuale mes dy protagonistëve për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni, tregon se qëllimi i të dyja palëve është marrja e mandatit për t’u bërë deputet.
Sipas Qorit, e gjithë situata përbën atë që ai e quan një telenovelë personazhesh, që duan vetëm të bëhet deputetë.
“Këto janë parti shampanjë, kërcasin njëherë dhe zhbëhen. Po i jepet shumë vëmendje kësaj. Unë e shoh që janë parti që përfaqësuesit e tyre s’kanë asnjë ide dhe asnjë ideal. Mua ata më akuzonin si egoist, kur unë sot s’jam deputet, unë si dal fjalës që them, Redi Muçi do të jetë deputet. Por dihej se do të vinim në këtë situatë ku për një vend deputeti po hanë njëri -tjetrin. Bëhet fjalë për një koalicion që ka marrë vetëm një deputet. Pra nëse s’do të bëshin bashkë këta, asnjë prej tyre nuk do të kishte deputet. Bota e tyre është vetëm një mandat deputeti. Është një telenovelë personazhesh që duan vetëm që të bëhen deputet”,tha ai.
Ndërkohë, sa i përket bashkëpunimit për qeverisjen e vendit me Partinë Socialiste, Qori theksoi i prerë se ka aksionin e tij të pavarur. Për më tepër, ai u shpreh se nuk do merret me parti të korruptuara.
“Nuk besoj se PS do të ketë ndonjë propozim të mirë për qeverisjen e vendit. Fakti që do të kemi një përfaqësi në Kuvend do të na bëjë që të kemi një zë në kuvend. Ne nuk do të bashkëpunojmë me parti të korruptuara, ne kemi aksionin tonë të pavarur, bashkë më shtresat në nevojë, me bizneset e vogla për të ngritur çështje që janë të rëndësishme.”-tha Qori.
“Kriza” në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik që do të zgjidhet vetëm nesër në KQZ, pasi do të bëhet ndarja e mandateve.

