Aktualitet
Shi e breshër i fortë në Bulqizë, përmbyten rrugët e qytetit
Shiu dhe breshëri i fortë kanë bërë që rrugët e qytetit të Bulqizës dhe pedonalja të përmbyten.
Shiu i rrëmbyeshëm i shoqëruar me erë të fortë krijoi probleme në lëvizjen e qytetarëve të cilët u gjendën të papërgatitur, megjithëse kjo nuk është hera e parë që rrugët e këtij qyteti përmbyten nga reshjet e shiut.
Mësohet se shkak për vërshimin e ujit është bërë bllokimi i pusetave të shkarkimit të ujërave të bardha.
Edhe rruga e Arbrit mes dy lagjeve të Bulqizës u përmbyt nga sasia e madhe e ujit që mblidhej që nga Qafa e Buallit.
Në këtë zonë, automjetet e patën të vështirë qarkullimin qoftë në drejtim të Peshkopisë e qoftë në drejtim të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.