Kronike
Shiste kanabis pranë shkollave, arrestohet 28- vjeçari, i sekuestrohen dhjetra doza
Një 28 vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi shiste kanabis pranë shkollave në Lezhë.
Njoftimi i policisë: DVP Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Quick Strike”
Sekuestrohet lëndë narkotike e ndarë në dhjetra doza gati për shitje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi disajavor të ndjekur me metoda speciale, në zbatim dhe të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Quick Strike”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. N., 28 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale Një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në dhjetra doza të gati për shitje.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se ky shtetas operonte në mënyrë të vazhdueshme, duke shpërndarë lëndë narkotike kryesisht pranë shkollave, duke krijuar një rrezik serioz për sigurinë e nxënësve. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.