Connect with us

Kronike

Shiste kokainë në plazhin e Livadhit, arrestohet i riu, sekuestrohet në doza gati për shitje

Në kuadër të masave të intensifikuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në zonat bregdetare të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj, Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Night Strike”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, dhe çoi në arrestimin në flagrancë të një 28-vjeçari, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis në zonën e Livadhit.

Sekuestrohen sasi lëndësh narkotike, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë, në fshatin Livadhë, Himarë, shtetasi M. P., 28 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit fizik dhe të dhomës ku ky shtetas ishte akomoduar, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
* sasi me lëndë narkotike kokainë në rreth 120 doza;
* sasi me lëndë narkotike kanabis në rreth 65 doza;
* një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas e përgatiste lëndën narkotike në doza në dhomën ku ishte akomoduar e më pas e shiste atë në zonat turistike të vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Advertisement