Connect with us

Aktualitet

Shokuese/ Djali i vdiq te Onkologjoku, i ati me lot në sy: S’i dhanë ilaçin për kimio

Mifit Balla humbi djalin e tij, Bujarin vetëm 39 vjeç nga kanceri në stomak. Disa muaj pas tragjedisë, Mifiti me origjinë nga Librazhdi por që prej vitesh jeton në Tiranë, ka drejtuar “gishtin” nga spitali Onkologjik se të birin nuk e kishin trajtuar me ilaçet e nevojshme për sëmundjen e tij, duke i kushtuar kështu edhe jetën. Në rrëfimin e tij për “ReportTv”, Balla tregoi se të gjitha analizat dhe rrezet e bëra, të birit i kishin dalë mirë, por sërish ndërroi jetë.

“Kimio po i bënte, rrezet i bëri, analizat i dolën mirë. Skaneri prapë mirë. I solla këtu i ka mirë, kur i ka mirë pse kjo. Për të marr në qafë këta të marrin. Erdhi me 31 të dielën në spital, me 1 mbaroj. Ka ndërruar jetë në spital në katin e 4. E çuam në urgjencë edhe ndërroi jetë këtu”.

Për vdekjen e të birit, ai bën me faj mungesën e ilaçeve në spital, duke treguar edhe një episod. I moshuari nga Librazhdi tregon se për herë të fundit djalin e kishte dërguar në Onkologjik më datë 3 korrik për të marrë kurën e zakonshme. Por mjekimi nuk iu dha për shkak të mungesës së ilaçit Irinotecan. Edhe pse ishte ankuar në të gjitha instancat për mungesën e ilaçit, sërish nuk kishte mundur të bënte dot asgjë për të birin.

“Bënte mjekim kimioterapi iu pre me 3 korrik dhe kishte edhe 3 për të bërë, pastaj do të bënte një kontroll. Ishte shumë mirë me këmbët e veta erdhi. Irinotecani, ilaçi që mungonte. Ika u ankova te drejtoria, edhe te ministria vajta atje. Më jepni recetën u thoja, ska ilaç, ska ilaç. Pa mjekim fare. Me 24 i bënë pastaj ato, pasi ra çuni. Që atë ditë me datë 3 u ngrit çuni në këmbë vajti atje dhe i tha zonja doktoreshë s’ka ilaç. Oboboo tha, çuni, edhe nuk u ngrit më. Ilaçin e kishte buk,”-rrëfeu i ati i të ndjerit.

Megjithatë nuk ishte dorëzuar! Kishte kërkuar vetë recetën e ilaçait në mënyrë që ta blinte vetë nëpër farmacitë private që operojnë në Tiranë, por mjekët pas shpërthimit të skandalit të Onkologjikut nuk e kishin ndihmuar as për t’i dhënë një recetë. Në këto kushte, edhe pse i gatshëm që të paguante për një ilaç që duhet ta ketë vetë spitali, nuk kishte mundur që t’i jepte ndihmën që i duhej të birit.

“Me 3 korrik që u bllokuan pas asaj të Onkologjikut. Më jepni recetën ta merrja siç e mora edhe një herë me lekë vetë atje. Këtë herë s’donin, më thoshin edhe emrin e ilaçit shkruaje vetë, jo me dorën e saj. Irinotecani, ilaçi që mungonte. Edhe e shkrova vetë emrin e ilaçit unë, edhe gjeta këtu në Tiranë po donte recetën për ta marr. Pa recetë nuk ma dha farmacistja, më tha s’di sa miligram duhen.Vetëm këtë qaj, të kishte bërë këto 3 të fundit, pastaj e kishte në dorë vetë Zoti. Qe shumë mirë, e qaj prej këtyre. Le ti ndjekë SPAK. Se do marrin në qafë të tjerë,”-e mbyll ai rrëfimin e tij.

Pas ankesës së marrë nga qytetari, për “Report”, QSUT pranoi se ilaçi ka qenë në mungesë.

“Në QSUT ka pasur mungesë të kufizuar të barit irinotrecan, i cili ka mbërritur pak ditë më vonë,”-shkruhej në përgjigjen e spitalit.

E pikërisht mungesa e tre dozave të fundit mund t’i ketë kushtuar jetën të riut nga Librazhdi. E për të…sërish, askush nuk mban përgjegjësi.

Advertisement