Politike
Shqipëria në ‘pole position’ për anëtarësim në BE, Marta Kos vlerëson lartë arritjet e vendit në gjashtë muajt e fundit

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka vlerësuar lart punën e Shqipërisë në muajt e fundit veçanërisht, teksa në fjalën e saj në Komisionin e Politikës së Jashtme pranë Parlamentit Evropian, theksoi se së bashku me Malin e Zi, janë vendet ballkanike më pranë Unionit se askush tjetër.
Kos, teksa foli për politikën që Bashkimi Evropian duhet të ndjekë në kursin e këtij viti, përmendi se si Shqipëria, një vend kandidat, i cili negociatat i ka hapur prej pak kohësh, më shumë avancim ka bërë në gjashtë muajt e fundit, se sa në pesë vitet e shkuara.
“Vetëm në dy muajt e fundit kemi hapur grupkapitullin e dytë dhe të tretë. Ky vend kandidat e ka kuptuar vrullin e ri për zgjerim duke ndërmarrë reforma më të shpejta se më parë”, përmendi Kos, duke vënë theksin te 24 kapitujt negociues që janë hapur në këtë kohë.
Ajo ka thënë se BE-ja dëshiron që vendet kandidate të jenë pjesë e sistemit tonë të përbashkët të sigurisë. Por, shteti i së drejtës, është i panegociueshëm si kusht për integrimin.
Të gjithë kapitujt negociues për Shqipërinë ndërkaq, do të hapen brenda muajit qershor.
Kështu ka garantuar komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ka folur më 30 maj gjatë një konference për Qendrën për Studime Evropiane në Bruksel dhe ka theksuar edhe marrëveshjen e ngushtë që ka me kryeministrin Edi Rama, për ecurinë e negociatave.
“Sigurisht, brenda mandatit tim si Komisionere për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Evropën më në fund”.
Kështu është shprehur Kos fillimisht në fjalën e saj dhe më tej, ka folur edhe konkretisht për kapitujt negociues.
Ajo ka bërë me dije se duhet hapur një tjetër grupkapitull me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë brenda qershorit.
Duke bërë të mundur kësisoj, që të gjithë kapitujt negociues të jenë të hapur dhe më pas, duhet parë avancimi përmes punës i Shqipërisë, për t’i mbyllur këta kapituj negociues brenda vitit 2027, në mënyrë që të ketë kohë të realizohet anëtarësimi i plotë brenda vitit 2030.
Hipoteza se Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 i ka shtruar herë pas here rrugën debateve publike mbi mundësinë e realizimit të diçkaje, e cila më shumë se një realitet, duket si një premtim “i hidhur” i radhës i Bashkimit Evropian.
Mirëpo, sipas Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, diçka e tillë është e mundur pa asnjë dyshim dhe ajo i ka mëshuar faktit se nëse Mali i Zi dhe Shqipëria vijojnë me ritmet e deritanishme të negociatave, atëherë pritshmëritë janë të larta, me dy vendet që mund të aderohen në bllok brenda kësaj deade.
Momentumi i favorshëm i pasluftës në Ukrainë dhe avancimi shumë i mirë i dy vendeve me negociatat, janë faktorë kryesorë për këtë.
Gjatë një interviste me median gjermane Welt, Kos ka folur pikërisht rreth dinamikave të reja në Ballkan dhe zhgënjimin që disa shtete kanë pasur lidhur me këtë çështje.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin. Unë vij nga ai kënd. Dhe vetëm për krahasim, nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë”, bëri të qartë Kos në fjalën e saj.
Sipas Komisioneres, e njëjta gjë vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor: ato duhet të përmbushin premtimet, ato duhet të përmbushin reformat. Dhe ka një element tjetër të rëndësishëm në të kaluarën, siç pranon ajo.
“Në vitet e fundit, zgjerimi nuk ishte aq i rëndësishëm për Komisionin Evropian. Nuk ishte një përparësi. Tani është. Shtetet anëtare thonë të njëjtën gjë. E dini, kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, për shembull. Ato po përmbushin shumë mirë premtimet. Po zbatojnë reformat. Ata e shohin procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomive të tyre, si dhe të zonave të tjera brenda vendit”, shton.
Ndërkohë që e përshkruan fare qartë afatin kohor dhe rrugëtimin që të dy vendet mund të ndjekin.
“Dhe, për shembull, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjitha negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe pastaj me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ekziston një mundësi realiste që të dy vendet të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”.
Ndërsa, lidhur me vetë Ukrainën, nuk ka ende përcaktime kohore se si mund të shtyhet më tej për procesin.
Por, me rëndësi sipas saj, është fakti që BE-ja ka filluar të lëvizë dhe se tashmë, zgjerimi, shihet realisht si hapi i madh që i duhet Unionit për të forcuar pozitat e veta jo vetëm rajonale, por edhe globale.

