Aktualitet
Shqiptarët të fiksuar pas duhanit, renditen të dytët pas maqedonasve

Pas Maqedonisë së Veriut, shqiptarët kanë prevalencën më të lartë të duhanpirjes në popullatë. Të dhënat nga Eurostat dhe OBSh tregojnë se Maqedonia e Veriut ka një prevalencë të duhanpirjes në shifrën e 41.1%, ndërsa në Shqipëri 40% e popullatës shqiptare është duhanpirëse.
Mes vendeve të rajonit të Mesdheut, Italia ka prevalencën më të ulët me 24% të popullatës. Një shifër kjo e mbajtur konstante pothuajse gjatë gjithë viteve të fundit.
Duhanpirja në Shqipëri dhe vendet e këtij rajoni, përveç Italisë, është mbi mesataren europiane. Të dhënat e Eurostat tregojnë se 24% e popullsisë së BE-së të moshës 15 vjeç e lart pinte duhan. Ndër burrat, përqindja ishte 28%, ndërsa 21% e grave pinin duhan.
Suedia raportoi përqindjen më të ulët të duhanpirësve (8%) midis popullsisë së moshës 15 vjeç e lart, e ndjekur nga Holanda (11%) dhe Danimarka (14%).
Duhanpirja në Shqipëri po shihet si faktor kryesor rreziku për tumorin e mushkërive. Sipas mjekëve, në 85% të rasteve duhanpirja është shkaku kryesor i sëmundjeve të mushkërive. Ndërsa OBSh thotë se nga viti 2020 deri në vitin 2030 tumoret, si me shkak kryesor duhanin, në Shqipëri priten të rriten me 60%./Tv Klan

