Aktualitet
Shtëpi “falas” për homoseksualët, Xheni Karaj replikon me Adriatik Lapajn dhe Pano Sokon: O frikacakë…
Së fundmi një debat është zhvilluar në rrjetet sociale, pasi Adriatik Lapaj dhe Pano Soko thonë se Bashkia e Tiranës po favorizon personat LGTB për të marrë shtëpi me kredi të butë.
Atyre iu është përgjigjur Xheni Karaj.
Reagimi i Karajt
Përgjigje Pano Soko dhe Adriatik Lapaj! Shqipëria nuk bëhet nga politikanë frikacakë! Nisma Thurje pretendon se po i the bashkisë që je LGBTI, fap të jep kredi të butë për strehim. Kjo është e pavërtetë. Që nga viti 2018, është në fuqi Ligji Nr. 22/2018 për Strehimin Social, ku në Nenin 16 të këtij ligji thuhet qartë: Ndihmohen individët që i përkasin komunitetit LGBTI DHE që janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimet e organeve kompetente, sipas legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Pra, përfitojnë nga kjo politikë ata qytetarë LGBTI që janë subjekt i dhunës dhe diskriminimit sistematik – të faktuar nga raporte në polici dhe organe kompetente – për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor dhe që, si pasojë, ndodhen në kushte të pafavorshme ekonomike dhe sociale. Këtu përfshihen persona LGBTI të dhunuar dhe përzënë nga shtëpitë nga familjarët e tyre, apo ata që nuk mund të gjejnë punë për shkak të diskriminimit dhe nuk kanë mundësi të sigurojnë të ardhura për nevojat bazike, siç është strehimi.
Në vijim, dua të adresoj një tjetër koment të bërë nga Pano Soko, gjithashtu përfaques i Nismës Thurje, i cili pyet: “Pse duhet të paguhen me taksat e mia këto persona?” dhe përmend “shenjtërinë e familjes,” duke sugjeruar se ekzistenca e personave LGBTI është kërcënim për familjen.
Duhet të kujtojmë se paratë e taksapaguesve përdoren për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetet e margjinalizuara. Programet sociale që synojnë të sigurojnë një jetë me dinjitet për personat LGBTI nuk janë ndryshe nga ato që mbështesin gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, apo pakicat racore dhe etnike. Kundërshtimi ndaj pjesëmarrjes së personave LGBTI në këto programe bie ndesh me vlerat e barazisë dhe drejtësisë mbi të cilat është ndërtuar shoqëria dhe sistemi ynë demokratik.
Personat LGBTI janë qytetarë, taksapagues dhe kontribuues në ekonominë e vendit, ashtu si çdo qytetar tjetër. Programet sociale ekzistojnë për të mbrojtur dhe mbështetur grupet më vulnerabël dhe të margjinalizuara, duke siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta dhe të gëzojnë të drejtat themelore të njeriut.
Pyetja që duhet të bëni si politikanë nuk është “Pse duhet të mbështesim me taksat tona personat LGBTI?” por “Si mund të sigurohemi që çdo qytetar, pavarësisht tipareve si orientimi seksual, etnia, gjinia apo aftësitë ndryshe, të jetojë me dinjitet?”
Xhepat e Panos do përfitonin shumë nëse Pano do nxiste një frymë që nuk krijon kosto në shoqëri.
Retorika populiste e kërcënimit të familjes përdoret edhe nga Adriatik Lapaj, i cili shkruan në Facebook: “Kush sulmon konceptin e familjes meriton vetëm neverinë tonë. Rroftë familja! Rroftë nëna! Rroftë babai!”
Nëse mesazhi këtu është se ekzistenca e orientimit të ndryshëm seksual rrezikon familjen, atëherë i kujtoj Panos, Adriatikut, dhe shokëve të tyre se ne, personat LGBTI, ashtu si ju, kemi ardhur në jetë nga prindërit tanë—nënat dhe baballarët që na kanë rritur me dashuri dhe sakrifica. Fatmirësisht, shumë prej tyre i bëjnë ballë përditë miopisë së të tjerëve dhe përfaqojnë fëmijët e tyre, mbrojnë familjen e tyre dhe nuk i flakin tutje që t’i mbyllin gojën komshies apo për një grusht vota. Ne i konsiderojmë prindërit tanë të shenjtë dhe jemi thellësisht mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për ne. Me të njëjtën dashuri dhe sakrifica me të cilat jemi rritur prej tyre, kemi krijuar edhe ne familjet tona, të cilat, për shkak të politikanëve frikacakë si ju, nuk gëzojnë asnjë të drejtë ligjore.
Kërcënimi i vërtetë për familjen shqiptare nuk vjen nga dy njerëz që duhen dhe luftojnë për të jetuar të lirë, të barabartë dhe me dinjitet. Kërcënimi vjen nga korrupsioni që ka deformuar çdo marrëdhënie dhe sens drejtësie në këtë vend, nga mungesa e shtetit ligjor dhe politikat sociale që nuk janë gjithëpërfshirëse. Familjeve shqiptare u kanë ikur dhe vazhdojnë tu ikin fëmijët jashtë vendit për një jetë më të mirë, çuditërisht, atje ku qytetarët LGBTI gjithashtu gëzojnë trajtim më të drejtë se këtu.
Si politikanë të rinj, ju keni marrë përsipër të sillni një frymë të re politike, të bazuar në vlera demokratike. Por Shqipëria NUK BËHET me retorika të tilla përjashtuese dhe diskriminuese që vetëm thellojnë ndasitë dhe dëmtojnë si familjen ashtu edhe kohezionin shoqëror.
Është e qartë për mua që, këto qëndrime që mbani vijnë nga paragjykimet tuaja të brendshme dhe nga bindja populiste se sulmimi i komunitetit LGBTI do t’ju sjellë më shumë vota. Por, duke na sulmuar neve, ju nuk do të humbisni vetëm votat tona, por edhe ato të familjeve tona, miqve tanë, aleatëve tanë dhe çdo personi që është i lodhur nga modeli i vjetër i politikave përçarëse.
Unë, si dhe shumë të tjerë, pyesim veten: Nëse ju tregoni këto tendenca shtypëse dhe autoritare ndaj një prej grupeve më vulnerabël të shoqërisë pa qenë ende pjesë integrale e politikës, si do të përdornit pushtetin tuaj nëse do të ngjiteshit më lart politikisht?