Connect with us

Shkrime

Shumë pranë nesh, parajsa e kriptomonedhave, me rusë, ukrainas, ar’më dhe spiun të Kremlinit

 I themeluar në vitin 2021 në bregdetin Adriatik të Malit të Zi, Montelibero e modelon veten si një idil anarko-kapitalist për të apasionuarit e kriptomonedhave, i populluar nga emigrantë nga Rusia dhe Ukraina, mes të cilëve një me lidhje të çuditshme me kulturën e armëve dhe një spiun i Kremlinit.

Nga Ljubomir Filipovic dhe Iryna Khalip

Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, me përfundimin e sezonit të pushimeve verore, qindra qytetarë rusë dhe ukrainas u mblodhën në një festival në fshatin Pecurice, pranë qytetit portual të Tivarit në bregdetin malazez të Adriatikut.

Ata ishin atje për të festuar një komunitet libertarianësh të themeluar në Pecurice në vitin 2021 me emrin “Montelibero“, në një hektar tokë të blerë nga themeluesit e tij në një kodër me pamje nga deti. Gjatë eventit, organizatorët pretenduan se mallrat dhe shërbimet mund të paguheshin me kriptomonedhën e vetë Monteliberos – EURMTL.

Montelibero e përshkruan veten si një “shoqëri e lirë” e bazuar në parimet e anarko-kapitalizmit, duke bashkuar libertarianët dhe këdo tjetër të interesuar – thotë ai – për lirinë dhe pavarësinë personale dhe sociale në botën moderne.

Përveç përdorimit të kriptomonedhës, e cila ende nuk është rregulluar zyrtarisht në Mal të Zi, ai pretendon të operojë “strukturën e tij gjyqësore”, megjithëse nuk ka prova publike që kjo ekziston vërtet. Më serioze për autoritetet malazeze mund të jetë mungesa e lejeve të ndërtimit për disa prej shtëpive që janë ndërtuar në tokë, duke ngritur pikëpyetje të mundshme në lidhje me respektimin e komunitetit për sundimin e ligjit në vend.

Libertarianët e Monteliberos kanë prejardhje të ndryshme. Një nga themeluesit e komunitetit ka pasur lidhje me një deputet të partisë në pushtet të Vladimir Putin, i cili u dënua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 si agjent i huaj i padeklaruar.

Ai dhe disa “aktivistë” të tjerë të Monteliberos gjithashtu kanë pasur lidhje në të kaluarën me autoritetet separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

Mali i Zi “pothuajse ideal” për lëvizjen libertariane

Montelibero tërheq shumë prej adhuruesve të tij nga pjesët e pushtuara nga Rusia të Ukrainës. Rajoni i Donbasit ka qenë kryesisht nën kontrollin rus që nga viti 2014, kur Moska nxiti një rebelim të armatosur në Ukrainën lindore dhe aneksoi Krimenë.

Ata që erdhën në Mal të Zi për t’iu bashkuar Monteliberos kanë ndjekur gjurmët e mijëra rusëve që blenë shtëpi në vendin me shumicë të krishterë ortodokse nga mesi i viteve 2000 e tutje, disa prej tyre pjesë e elitës mega-pasur të Rusisë, të tjerë që kërkojnë një pikë mbështetjeje në vendin që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Disa prej tyre donin të jetonin në një mjedis më të lirë se Rusia e Vladimir Putin apo Ukraina e shkatërruar nga lufta. Shumë të tjerë thjesht donin një vend me diell.

Në një intervistë për faqen e internetit të Partisë Libertariane të Rusisë, një grupim politik i skajshëm, anëtari i Monteliberos, Stanislav Karkavin tha se ata kishin kërkuar të ndërtonin një “qytet privat” në Mal të Zi. Ai e përshkroi vendin si “të ri, të varfër dhe të dobët, të copëtuar vazhdimisht nga brenda nga mosmarrëveshjet”.

Në komentet me shkrim për BIRN, Viktor Korb, një anëtar i Këshillit të Shoqatës Montelibero, e përshkroi Monteliberon si një “lëvizje ekstraterritoriale, ndërkombëtare dhe të decentralizuar”.

Qëllimi, tha ai, është të tregohet me shembull “se liria është me të vërtetë më e mirë se mungesa e lirisë, dhe se kombinimi i iniciativës private dhe inovacionit modern teknologjik mundëson me të vërtetë një përmirësim shumë të shpejtë të jetës së njerëzve”.

“Fillon me shembuj vendas dhe shkon deri në nivelin shtetëror”, tha Korb. “Mali i Zi është pothuajse ideal për këtë, sepse ka një kombinim unik të karakteristikave gjeografike, politike, socio-ekonomike dhe kulturore”.

Lidhje me deputeten e partisë në pushtet të dënuar në SHBA

Montelibero u regjistrua për herë të parë si një kompani e kufizuar në qershor 2021. Fusha e saj e veprimtarisë u rendit si “ndërtim” dhe kapitali i saj i autorizuar ishte katër euro, një euro nga secili prej katër themeluesve të saj – Anton Epikhin, Igor Tolstov, Anton Gushcha dhe Heinrich Polyanin.

Sipas dokumenteve të tij të regjistrimit, në vitin 2021 Epikhin kishte 51 për qind të aksioneve kontrolluese.

Profili i Epikhin në rrjetin social rus VKontakte liston vendin e tij të fundit të punës si komiteti organizativ i Armed Citizen, një organizatë politike ruse me fokus në “kulturën e armëve të zjarrit dhe ndërgjegjësimin patriotik”.

Në vitin 2008, sipas një raporti të nje agjencie ruse lajmesh të cituar nga Jerusalem Post, Epikhin u dënua me 18 muaj burg se kërcënoi se do të vriste presidentin e ardhshëm rus Dmitry Medvedev; Epikhin u citua të thoshte se komentet e tij ishin një shaka që kishte përfunduar keq.

Në vitin 2014, ai u shfaq në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, mes një rebelimi separatist të mbështetur nga Rusia. Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, ai u bë kryetar i Komitetit për Mbështetjen Humanitare të autoritetit separatist të Donetskut. Më pas, në vitin 2016, Qendra për Zhvillim Rajonal, një OJQ në qytetin rus të Krasnodarit, mori një grant nga presidenca ruse për të ndihmuar kthimin e refugjatëve nga Donbasi. Kreu i OJQ-së në atë kohë ishte vëllai i Epikhin, Dmitry, i cili, që nga nëntori i vitit të kaluar, është i listuar në Regjistrin e Biznesit të Malit të Zi si një nga aksionerët kryesorë në Montelibers.

Epikhin është lidhur prej kohësh me Maria Butina, një studente kolege e Universitetit Shtetëror të Altait në qytetin e Barnaulit, e cila u dënua në Shtetet e Bashkuara në 2018 me 18 muaj burg se komplotoi se do të përdorte grupe politike, duke përfshirë National Riffle Association, NRA, për të krijuar komunikim “back channel’ me figura zyrtare me synimin për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane në favor të Rusisë.

Në vitin 2019, Butina u deportua në Rusi, ku tani është deputete e partisë në pushtet Rusia e Bashkuar.

Një tjetër shok klase në Universitetin Shtetëror të Altait, Sergey Gorbunov, tha për BIRN se Epikhin dhe Butina ishin të afërt.

“Ata të dy ishin aktivistë, organizonin gjithmonë diçka”, tha Gorbunov. “Më vonë, pikëpamjet e tyre ndryshuan përkohësisht. Maria filloi të krijonte lëvizjen “Right to Bear Arms”, ndërsa Antoni u bë ultra-opozitar dhe hapi një dyqan që shiste libra ekstremistë.”

Pas dënimit të tij pasi kërcënoi se do të vriste Medvedevin, megjithatë, “Antoni befas u bë një patriot”, tha Gorbunov, “po aq ultra-patriotik sa kishte qenë ultra-opozitar më parë.”

Ai tha se, edhe pse u ndanë, Epikhin dhe Butina “nuk reshtën së komunikuari”.

“I pashë disa herë bashkë në Moskë.”

Butina nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Lidhja me Donbasin

Një anëtar i shquar i komunitetit të Monteliberos, Alexey Tkachuk, shërben gjithashtu si drejtor i një fondacioni joqeveritar në Mal të Zi me emrin Centar za razvoj, ose Qendra për Zhvillim.

Një shtetas rus me banim në Mal të Zi, Tkachuk më parë drejtonte krahun rinor të partisë në pushtet të Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, në qytetin jugperëndimor të Samaras, ku ai ishte gjithashtu në këshillin e qytetit. Ai nuk duket më i përfshirë në politikë, por punon, sipas profilit të tij në LinkedIn, si menaxher marketingu i Monteliberos dhe zhvillues i pasurive të paluajtshme.

Tkachuk bashkëthemeloi Centar za razvoj me Anastasiia Skyba dhe Anastasiia Sysoieva, të cilat janë të regjistruara si banore të Donetskut, në rajonin e Donbasit të Ukrainës. Skyba është ose ishte punonjëse e një fondacioni bamirësie në Ukrainën lindore të quajtur Qendra e Zhvillimit Donbas, e cila ka marrë fonde nga agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR.

Centar za razvoj është regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi; mes dokumenteve të dorëzuara ishte një prokurë që mbante vulën e noterit publik të Republikës Popullore të Donetskut, një entitet separatist i mbështetur nga Rusia që Mali i Zi nuk e njeh. Rusia pretendoi se kishte aneksuar zonën e Donetskut në vitin 2022.

Pavarësisht vulës së Republikës Popullore të Donetskut, Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi i tha BIRN se asnjë ligj nuk ishte shkelur në regjistrimin e OJQ-së. “Dokumentet janë dorëzuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Organizatat Joqeveritare”, thuhet në të.

Në komentet e tij për BIRN, Korb e përshkroi Tkachuk-un si “një nga aktivistët e shumtë të lëvizjes Montelibero”, por tha se vetë Centar za razvoj nuk është e lidhur drejtpërdrejt me Monteliberon.

I pyetur për Skyba-n, Korb tha: “Me sa di unë, Anastasia njeh disa aktivistë në komunitet. Ajo jeton dhe merret me projektet e saj humanitare diku tjetër (jashtë Malit të Zi), ku aftësitë e saj dhe pjesëmarrja reale janë më të nevojshme tani.” Skyba nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Korb shtoi se Anton Epikhin kishte hequr dorë nga bashkëpronësia e Monteliberos “për arsye shëndetësore familjare”. Ai e pati të pamundur të transferohej në Mal të Zi.

Pasi blenë tokën, themeluesit e pastruan atë, ndërtuan një rrugë hyrëse, sollën energji elektrike, vendosën një depo uji dhe sistemin e kanalizimeve dhe filluan të ndërtonin shtëpi. Banori i parë u zhvendos aty në fund të majit 2023.

Nga mesi i vitit 2024 përfunduan dy godina banimi. Një godinë trekatëshe me tetë njësi banimi dhe një shtëpi. Dy pallate të tjera dhe disa shtëpi private janë në ndërtim e sipër.

Në regjistrin kadastral të Malit të Zi, megjithatë, të paktën tre nga ndërtesat janë shënuar si të ndërtuara pa leje ndërtimi.

Komuna e Tivarit nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpyetje në lidhje me përdorimin e kriptomonedhës nga komuniteti.

Që nga rënia e Partisë Demokratike të Socialistëve, DPS, në mesin e vitit 2020, pas tre dekadash në pushtet, autoritetet në Mal të Zi kanë folur për kthimin e vendit në një qendër kriptosh.

Në prill të vitit 2022, kryeministri i atëhershëm Zdravko Krivokapiç i dha nënshtetësinë Vitalik Buterinit, bashkë-krijuesin ruso-kanadez të Ethereum, një platformë blockchain për aplikime financiare të decentralizuara. Sipas Forbes, Buterini u bë miliarderi më i ri i kriptove në botë në moshën 27-vjeçare.

Megjithatë, kriptovaluta mbetet e parregulluar në Mal të Zi.

“Banka Qendrore nuk ka juridiksion mbi kripto-asetet dhe investitorët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e larta financiare të përfshira”, tha për BIRN në një deklaratë me shkrim zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore, Zorica Kaleziç.

I kontaktuar përmes VKontake, Korb u përgjigj me atë që ngjante si një komunikim për shtyp për Monteliberon. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me përdorimin e kriptomonedhës nga komuniteti apo mungesën e lejeve të ndërtimit.

“Treg i lirë dhe jo agresion”

Koncepti pas Monteliberos ka disa ngjashmëri me Liberland, një “shtet sovran i pavarur” i vetë-përshkruar i deklaruar në 2015 nga një anëtar i Partisë Çeke liberitare Qytetarët e Lirë në gjashtë kilometra katrorë “tokë të askujt” përgjatë lumit Danub që pretendohet nga Kroacia dhe Serbia.

Themeluesit e Monteliberos thonë se aktivitetet e tyre “bazohen në kontrata vullnetare dhe parime të tregut të hapur” dhe se ata tërheqin njerëz që duan më pak ndërhyrje të shtetit në jetën e tyre.

“Nëse vlerësoni jetën njerëzore, nderoni pronën private, respektoni aftësitë e njerëzve të tjerë dhe biznesin e ndershëm, dëshironi vetëm që shteti t’ju lërë të qetë dhe përgjithësisht besoni se shteti krijon më shumë probleme sesa zgjidh – ka shumë të ngjarë që ju të jeni një libertarian, edhe nëse kjo është hera e parë që e lexoni këtë fjalë,” thuhet në faqen e internetit Monteliberos.

Ai pretendon se komunitetit i janë bashkuar njerëz nga “vendet e mbi-rregulluara të BE-së, kryesisht Gjermania”.

Sipas llogarisë së vetë Monteliberos, aktivistët e tij kanë hapur më shumë se 100 biznese.

Pjesëmarrësit fillimisht bashkuan kapitalin e tyre në Fondin e Investimeve Montelibero, MIF, i cili koordinon sistemin EURMTL dhe menaxhohet nga 20 aksionerët më të mëdhenj.

Qëllimi i fondit është të tërheqë para nga e gjithë bota dhe t’i investojë ato në zhvillimin e projektit Montelibero. Pjesëmarrësit e përhapën fjalën nëpërmjet mbledhjeve javore të mëngjesit dhe drekës.

Montelibero u njoh në nëntor të vitit të kaluar në Konferencën Libertariane të Qyteteve të Lira në Pragë, kur fitoi çmimin “Best Intentional Community”.

Korb theksoi se, për “të ardhmen e parashikueshme”, Montelibero nuk ka ndërmend “ta shtyjë çështjen e ‘juridiksionit jashtëgjyqësor’ në Mal të Zi” – diçka që mund ta fusë atë në konflikt me autoritetet malazeze, të cilat ka të ngjarë të kenë një pikëpamje negative për të huajt që refuzojnë të njohin ligjet e vendit.

Në vend të kësaj, Korb tha se komuniteti shpresonte të ndërtonte një “partneritet reciprokisht të dobishëm” me autoritetet lokale dhe shtetërore dhe të gjeneronte interes midis liderëve të biznesit, medias, kulturës dhe shoqërisë civile.

Advertisement