Connect with us

Bota

Si do jetë Gaza? Ministrja izraelite shpërndan videon shokuese me AI: Ose ne, ose ata

“Ja se si do të jetë Gaza në të ardhmen. Ose ne, ose ata”. Është ky përshkrimi në postimin e një videoje të shpërndarë në rrjet nga ministrja e Inovacionit të Izraelit, Gila Gamliel që po bën xhiron e rrjetit dhe që po konsiderohet shokuese.

Në videon e realizuar me inteligjencë artificiale shfaqet Rripi i Gazës, jo i shkatërruar nga lufta, por me ndërtesa luksoze, resorte, plazhe private, e mbushur me lokale dhe jetë të gjallë nate dhe një horizont me rrokaqiej futuristikë, përfshirë një Kullë të Donald Trump.

Në video shfaqen gjithashtu Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump, të shoqëruar nga bashkëshortja e tij Melania. Çifti presidencial shfaqet duke shëtitur përgjatë lungomares së të ardhmes teksa ecin të buzëqeshur, përpara një shfaqje spektakolare me fishekzjarre.

“Largimi vullnetar i banorëve të Gazës mund të ndodhë vetëm me Netanyahun dhe Trumpin”, shkroi ndër të tjera ministrja izraelite që shkaktoi lumë reagimesh dhe komentesh në rrjet duke e akuzuar për spastrim etnik.

Videoja e minsitres izraelite publikohet në një kohë kur 2.3 milionë njerëz në Gaza nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar. Shumë organizata që po përpiqen të sigurojnë ushqime, thonë se gjendja i ka kaluar kufijtë e normale.Imazhet të publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë për fëmijë, të rritur, të moshuar në radhë për të marrë ushqim. Alarmi është ngritur edhe nga mjekët atje që përveçse përballen me sulmet për shkak të luftës së nisur prej vitesh, tashmë lufta me urinë është kthyer në një “betejë” të përditshme.

Advertisement