Bota
Si në filma! Burri plagos me thikë gruan dhe ia mbath, por vdes në aksident me makinë

Një ngjarje tragjike, e denjë për skenarët e filmave hollivudianë, është regjistruar në Parma të Italisë. Mediat përtej Adriatikut raportojnë se një 58-vjeçar pasi ka goditur me thikë me qëllimin për t’i marrë jetën bashkëshorten e tij, ia ka mbathur nga vendi i ngjarjes, por ndërroi jetë në një aksident me makinë.
Dhahri Abdelhakim, me origjinë nga Tunizia, e plagosi nënën e fëmijëve të tij në banesën e saj, në San Secondo Parmense, një qytet në zonën e Bassa Parmense dhe u përpoq të arratisej, por vdiq pasi makina e tij u përplas “kokë më kokë” me një kamion.
Aksidenti rrugor që i mori jetën 58-vjeçarit ndodhi në rrugën provinciale 10, jo shumë larg shtëpisë ku gruaja u godit me thikë. Dy personat që udhëtonin me kamionin mbetën të plagosur rëndë.
Sakaq, mediat raportojnë se gjendja e gruas është e rëndë, pavarësisht se fëmijët, 8 dhe 6 vjeç të çiftit, alarmuan fqinjët, të cilët thirrën me shpejtësi mjekët.

