Connect with us

Kronike

Sigurimet vullnetare në rënie

Pesha e sigurimeve vullnetare në tregun e sigurimeve është në rënie të mëtejshme gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 10-mujorin 2022 sigurimet vullnetare sollën 32.65% të primeve të shkruara bruto, nga 34% që kishte qenë pesha e tyre për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Volumi i përgjithshëm i primeve të shkruara bruto për sigurimet vullnetare në 10 muaj ishte 5.16 miliardë lekë ose rreth 44 milionë euro.

Deri tani gjatë këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar vetëm 15 euro për frymë për t’u siguruar vullnetarisht.

Ndër produktet e sigurimit vullnetar, më i rëndësishmi ngelet sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës, me pothuajse 30% të volumit total të sigurimeve vullnetare.

Shifrat tregojnë se tregu nuk po bën asnjë përparim në drejtim të rritjes së peshës së sigurimeve vullnetare, që paraqiten gjithnjë e më në pakicë në strukturën e primeve të tregut. As hyrja në treg e investitorëve të huaj rreth 15 vjet më parë nuk solli një transformim të shpresuar cilësor të tregut.

Drejtuesit e kompanive të sigurimit mendojnë se në dështimin e krijimit të një kulture të sigurimeve në Shqipëri ka edhe një përgjegjësi të madhe nga ana e shtetit.

Mbulimi apo kompensimi i dëmeve nga shteti në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet apo përmbytjet, bën që qytetarët të mos ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së sigurimit për të qenë të mbrojtur financiarisht ndaj dëmeve të mundshme në pronë apo në shëndet.

Në këto kushte, sigurimin kërkojnë prej vitesh krijimin e një skeme kombëtare për sigurimin nga katastrofat. Shumica e siguruesve janë të mendimit se një skemë e tillë duhet të jetë e detyrueshme.

Advertisement