Politike
Sinjale nga Qiproja: Tre kapitujt që Shqipëria mund t’i mbyllë deri në qershor
Zëvendësministrja për Çështjet Evropiane të Qipros, Marilena Raouna, ka dhënë një prej deklaratave më optimiste të muajve të fundit lidhur me ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Diplomatja ka konfirmuar se Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së – që nis në janar 2026 – do ta ketë zgjerimin si një nga prioritetet kryesore.
Në fjalën e saj mbi rolin e Qipros në kryesimin e ardhshëm të BE-së, Raouna vlerësoi angazhimin “mbresëlënës” të Shqipërisë, duke theksuar ritmin e lartë të reformave dhe dëshirën e qeverisë shqiptare që negociatat të përmbyllen deri në fund të vitit 2027.
Sipas saj, nën Presidencën e Qipros, pritet të arrihet konsensus për IBAR-in (raportin e vlerësimit të ndërmjetëm) për Grupkapitullin 1 në fillim të pranverës.
“Është e rëndësishme jo vetëm të hapen kapitujt, por të fillojnë të mbyllen”, nënvizoi Raouna, duke sinjalizuar se presidenca qipriote synon rezultate konkrete dhe të matshme.
Në një klimë gjeopolitike të vështirë, e shënuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës, Raouna u shpreh se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
Ajo theksoi se momenti aktual nuk duhet humbur: integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, rrit autonominë strategjike dhe forcën globale të Bashkimit Evropian.