Connect with us

Aktualitet

Skandal në qendër të Tiranës/ Klinika estetike operonte pa mjekë, drejtimin e kishte marrë kuzhinieri

Klinika estetike e bllokuar pak ditë më parë, që operonte në qendër të Tiranës, rezulton se për më shumë se një vit ka funksionuar në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar shëndetin e dhjetëra pacientëve.

Bëhet fjalë për klinikën “International Medicare”, pjesë e rrjetit “Sante Plus Group”, ku në vend të kirurgëve dhe mjekëve të licencuar, drejtimin e kishte marrë kuzhinieri.

Gjatë operacionit të koduar “Bilanci”, forcat e Policisë së Tiranës arrestuan të vetmin që figuronte si administrator, 62-vjeçarin Edmond Zaja, në fakt kuzhinier i klinikës, i cili do të dalë të hënën para Gjykatës për masën e sigurisë.

Ndërsa dy bashkëaksionerët, Bilal Kara, shtetas turk dhe Geriana Arapi, shqiptare, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Në ambientet e klinikës, hetuesit gjetën 100 blloqe me fatura të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të ndaluara, të skaduara dhe kontrabandë, të përdorura për ndërhyrje estetike si botox, fillera e madje edhe për mbjellje flokësh. Pagesat për pacientët kryheshin në cash, pa fatura, ndërsa punonjësit paguheshin në dorë e pa sigurime. Një aktivitet informal, i mbuluar me luks dhe fasadë moderne, por që fshihte pas vetes një skemë mashtrimi dhe rreziku për jetën.

Njëri prej aksionerëve kryesorë, Bilal Kara, nuk është emër i panjohur. Ai rezulton të jetë Konsull Nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir, kryetar i Këshillit të Biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut në DEIK, si dhe anëtar i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Turqi.

Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet shqiptare janë në kontakt me partnerët për lokalizimin dhe ekstradimin e tij. Klinika “International Medicare” është bllokuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe përgjegjësve të vërtetë pas këtij mashtrimi multimilionësh.

Ky nuk është thjesht një rast evazioni fiskal, por një alarm i fortë për mënyrën se si biznese të rrezikshme operojnë në mes të Tiranës, jashtë çdo kontrolli, duke vënë në rrezik shëndetin publik dhe integritetin e institucioneve shtetërore. Hetimi i Policisë dhe Prokurorisë së kryeqytetit vijon të zbulojë të tjera skandale për aktivitetin tërësisht të paligjshëm të klinikës së ndërhyrjeve estetike në kryeqytet “International Medicare”./Shqiptarja.com

Advertisement