Connect with us

Aktualitet

Skandali i Gjicit/ SPAK i mban të sekuestruar pasaportën Almës

Alma K., vajza që filmoi momentet intime me ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, pritet të merret në mbrojtje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të kthehet në dëshmitaren kryesore të procesit penal që ka nisur në SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar dosjen për dy vepra penale si ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv i funksionarit publik” në këmbim të përfitimeve seksuale, ndërsa sipas “Ora News”, asaj i është bllokuar pasaporta, duke vendosur një masë të përkohshme të daljes së saj jashtë shtetit.

Grupi hetimor që po ndjek dosjen ka bllokuar dhe aparatin e telefonit të saj, me qëllim ekzaminimin e bisedave të Alma K.,në rrjetet sociale dhe aplikacione të ndryshme që mund të ketë zhvilluar me persona të tretë për këtë çështje. E përveçse kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në Bashki, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë marrë në pyetje disa punonjës të bashkisë Kukës, të cilët kanë konfirmuar prezencën e Alma K., në ambientet e bashkisë, pikërisht në datën 6 qershor 2023.

Në pyetje rezulton të jetë marrë dhe nën/kryetari i bashkisë Kukës, Granit Gjana, i cili është personazhi i tretë i video-skandalit, dhe personi që merr kontakt me Alma K., duke administruar dokumentacionin e plan-projektit për sterilizimin e qenve të rrugës.

Deri më tani raportohet se Gjana ka pranuar se sipas udhëzimit që i dha kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka pranuar dokumentacionin e Alma K., për planin e ndërtimit të qendrës së sterilizimit dhe kastrimit të qenëve të rrugës. Por theksoi se plani ka mbetur vetëm në letër, pasi ende një shërbim i tillë nuk ishte diskutuar në këshillin bashkiak.

Pritet të merret në pyetje edhe Astrit Cengu, ky i fundit anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës. Kjo pasi në ditën e betimit të Gjicit, në mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Kukës, mes tij dhe Cengut ka pasur një përplasje verbale dhe madje kërcënime për publikimin e materialeve komprometuese, e gjitha e diskutuar para anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak.

Sipas dëshmitarëve, Safet Gjici i ka kujtuar Astrit Cengut se i disponon një dosje voluminoze dhe që mund ta përdorte kundër tij në çdo rast. Ndërsa nga ana tjetër, Astrit Cengu, i ka kujtuar Gjicit se nuk kishte çfarë t‘i bënte pasi dhe 4 ditë ishte në krye të bashkisë, pasi në publik do të dilte një video komprometuese me përmbajtje seksuale. Ç’ka tregon se ka qenë në dijeni të video-filmimit.

Advertisement