Aktualitet
SKANDALI/ “Kancer” në tavolinë, si u lejuan 13.5 ton mish nga Brazili të përfundonin te shqiptarët

Në fillim të muajit, një ngarkesë prej 13.5 ton fileto pule e importuar nga Brazili, e destinuar për tregun shqiptar nga kompania Dimal Inc, rezultoi me prani të bakterit të rrezikshëm Salmonela, sipas analizave të kryera në laboratorët e ISUV. Por ajo që ndodhi më pas është më skandaloze sesa prania e bakterit vetë.
Pavarësisht alarmit të laboratorit, pjesa më e madhe e këtij mishi përfundoi në supermarketet Big Market, Xhangolli, Joena dhe dyqane të tjera, përpara se analizat përfundimtare të konfirmonin zyrtarisht rrezikun. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) heshtën. Për më tepër, nuk morën asnjë masë për të bllokuar produktin, duke i lejuar konsumatorët shqiptarë të vendosnin në pjatë mish potencialisht të rrezikshëm.
Ajo që institucionet nuk po tregojnë
Përmes burimeve brenda AKU, mësuam se analizat e para, të kryera menjëherë pas mbërritjes së ngarkesës në Portin e Durrësit, identifikuan prani të salmonelës në mostrën e marrë. Pavarësisht kësaj, ISUV kërkoi një analizë të dytë, ndërkohë që ngarkesa nuk u bllokua, por u lejua të shpërndahej.
Në datën 13 mars, rezultati përfundimtar konfirmoi praninë e salmonelës. Por deri atëherë, pjesa më e madhe e mishit ishte shitur.
Çfarë ndodhi në këtë periudhë kohore? Si është e mundur që produktet me salmonelë nuk u bllokuan menjëherë? Këtë institucionet tona nuk mund ta thonë. Ata presin që skandali të shuhet për të bërë pazarin e radhës.
Roli i kompanisë Dimal Inc
Në qendër të kësaj historie qëndron kompania Dimal Inc, në pronësi të Mondi Goxha. E kontaktuar për një koment, kompania nuk pranoi të përgjigjej mbi pyetjen thelbësore: A e informuan ata rrjetet e shitjes mbi rrezikun e ngarkesës?
Nga të dhënat e siguruara, rezulton se kompania nuk mori asnjë nismë për të pezulluar shpërndarjen e produktit deri në konfirmimin zyrtar të analizave. Mishi erdhi me probleme, u gjet me probleme dhe u shit në çdo rrjet ku kompania ka marrëveshje.
Rreziku për konsumatorin shqiptar
Salmonela është një bakter që shkakton helmime të rënda ushqimore, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët. Deri më sot, AKU nuk ka bërë publike nëse ka pasur raste të helmimeve që mund të lidhen me këtë mish.
Ndërkohë, konsumatorët shqiptarë, të cilët besojnë se supermarketet dhe institucionet mbrojnë shëndetin e tyre, nuk janë informuar asnjëherë për këtë skandal. Produkti i rrezikshëm është konsumuar pa dijeninë e publikut.
Është historia e një sistemi që lejon tregtinë e rrezikut, ku institucionet e sigurisë ushqimore heshtin, kompanitë private përfitojnë, dhe konsumatori mbetet viktimë e një zinxhiri abuzimesh, neglizhence dhe, ndoshta, korrupsioni.
Tani është radha e Prokurorisë që të mos heshtë. Çështja ka trokitur në Prokurorinë e Tiranës e cila njëherë e mirë duhet të tregojë që abuzues të tillë përfshirë zyrtarë publikë apo biznesmenë të marrin përgjegjësitë që iu ngarkon ligji, kur tryezat që duhet të ishin mbushur me ushqim i kanë ushqyer me helm.

