Kosova
Sorenseni në Uashington përballë interesit në rritje të Trumpit për Kosovën dhe Serbinë

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka filluar vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikthyer vëmendjen nga Prishtina dhe Beogradi.
Sorenseni nuk ka bërë ndonjë njoftim mbi agjendën e tij diplomatike, dhe mbetet e paqartë se cilët diplomatë amerikanë do t’i takojë gjatë qëndrimit në Uashington. Megjithatë, vizita e tij vjen në një kontekst të veçantë pas komenteve të Trumpit.
Ai ka nisur të flasë për Kosovën dhe Serbinë si shembuj të aftësisë së tij për zgjidhjen e konflikteve – gjatë një adresimi në samitin e NATO-s në fund të qershorit, ai ka pretenduar se kishte ndaluar mësymjen e Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa para kësaj kishte theksuar se do t’i rregullojë gabimet e paraardhësit të tij, Joe Biden, në Ballkan.
Komentet e Trumpit kanë ngjallur pritshmëri në Kosovë për riangazhimin e SHBA-së në procesin e dialogut me Serbinë. Rikthimi i vëmendjes së Trumpit pritet të sjellë presion diplomatik ndaj Kosovës dhe Serbisë, por edhe një kurs më të qartë ndaj sfidave të këtij procesi, duke plotësuar kështu mangësitë e ndërmjetësimit të BE-së.

