Aktualitet
Sot 8 Dhjetori…32 vite nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë
Shënohet sot Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ drejt qendrës së Tiranës. Ata u bënë iniciatorë e kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Atë natë të 8 Dhjetorit, radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 vetë.
Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.