Aktualitet
SPAK e pohon: Një prokuror nuk pranoi të hetonte pasurinë e Metës dhe Berishës
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar hetimin e pasurisë së kryetarit të Partisë Demokratike dhe atij të Partisë së Lirisë, përkatësisht Sali Berishës dhe Ilir Metës. Dosja.al ka dërguar një kërkesë për informacion në zyrën e shtypit të SPAK, ku kërkoi informacion për një deklaratë që kishtë bërë në rrjetet sociale, ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë), Zef Brozi, i cili shkruante se një prokurore e SPAK (pa i përmendur emrin) kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit që detyronte SPAK të fillojë një çështje penale për verifikimin e pasurisë së dy ish-Presidentëve e ish-kryeministrave, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Në përgjigje për Dosja.al, SPAK ka bërë me dije se kishin ndjekur ndjekur hapat procedurialë ligjorë në lidhje me trajtimin e kallëzimit penal të depozituar nga Idajet Beqiri.
Më datë 26.09.2022 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 142, dhe ka vijuar me verifikimet përkatëse. Pas vlerësimit të akteve të verifikuara, me vendimin e datës 07.10.2022 nga prokurori i ngarkuar me trajtimin e këtij materiali kallëzues, është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Mbi bazën e ankimit të ankuesit Z.Idajet Beqiri, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, me vendimin nr 455, datë 30.12.2022, ka vendosur: 1. Shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mosfillimin e procedimit penal që lidhet me kallëzimin penal nr. 142 të vitit 2022. 2. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetimet e nevojshme. Kundër këtij vendimi, referuar neneve 291, pika (5), 422 e vijues, nenit 428, pika (1), gërma (b) të K.Pr.Penale, nga prokurori i çështjes është ushtruar e drejta e ankimit, duke parashtruar shkaqet ligjore, përse vendimi i Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të ndryshohet. Aktualisht çështja ndodhet pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe ne jemi në pritje të vendimmarjes së kësaj Gjykate,”-thuhet në vendimin e SPAK.
Por sërish nuk bëhet me dije se emri, edhe pse Dosja.al e kërkoi, i prokurores që doli kundër hetimit të Berishës dhe Metës. Megjithatë SPAK sqaroi se çështja është në Apel dhe nëse Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendos për “po”, pasuritë e Berishës dhe të Metës do të kalojnë edhe njëherë në lupën e prokurorëve dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.