Politike
Spartak Ngjela/ Spartak Ngjela: Demokratët shohin emrin e Metës dhe s’votojnë
Nëse të dyja palët e Partisë Demokratike humbasin në zgjedhjet e ardhshme atëherë Sali Berisha duhet të ikë dhe ta çlirojë përfundimisht të djathën. Kështu është shprehur avokati Spartak Ngjela. Në një intervistë për Report Tv, Ngjela tha se 14 maji është një test i rëndësishëm për opozitën.
“Janë një test këto zgjedhje për opozitën. Të shikojmë se ku janë. Këta janë të përçarë. Njëri thotë ‘ne jemi me perëndimin’. Vijnë përfaqësuesit e perëndimit dhe takojnë Alibeajn. Mund të ekzistojë Shqipëria pa qenë nën ombrellën e amerikanëve? Absolutisht që jo. Ishte turp kjo që bëri Saliu.
Nëse humbja e të dyja krahëve të Partisë Demokratike duhet të tërhiqet Saliu. Tërheqja e tij rinovon PD dhe ia bën shumë të vështirë Ramës fitoren në 2025. Duhet të tërhiqet se fiton e djathta shumë. Është pengesë e madhe për të djathtën”, tha Ngjela.
Sipas tij demokratët nuk mund të votojnë kur shohin krah kandidatëve të djathtë emrin e Ilir Metës.
“Do shkojnë demokratët atje dhe do shohin emrin Ilir Meta, nuk do ta votojnë. Të djathtët do të abstenojnë. Nuk janë si të majtët që shkojnë në bllok në votime. Berisha ka bërë shumë gabime këtë periudhë por nuk del dot nga situata. Nuk veprohet kështu siç vepron ai”, u shpreh në Report Tv avokat Ngjela.