Connect with us

Aktualitet

SPECIALE l Dokumentet sekrete të SHBA/ A i shiti Serbia armë Ukrainës?

Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, është pajtuar që të furnizojë me armë Kievin dhe veçse ka dërguar armë atje, thuhet në dokumentet e klasifikuara të Pentagonit, ka raportuar Reuters. Dokumenti, që është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara që janë publikuar në internet javëve të fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite. I titulluar” Evropa, përgjigja ndaj konfliktit që po vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e një grafiku rendit “qëndrimet” e 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Në këtë grafik thuhet se Serbia ka refuzuar që të ofrojë trajnim për forcat ukrainase, por është zotuar për t’i dërguar ndihmë vdekjeprurëse ose veçse i ka dërguar furnizime. Në dokument po ashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i dërguar armë Ukrainës në të ardhmen. Dokumenti është shënjuar me “sekret” dhe “NOFORN”, duke ndaluar shpërndarjen e tij në shërbimet e huaja të inteligjencës dhe tek ushtritë. Dokumenti mban datën 2 mars dhe është i stampuar me vulën e zyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtij dokumenti. Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Ambasada e Ukrainës nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment. Pentagoni po ashtu nuk është përgjigjur menjëherë në pyetjet lidhur me referencat që bëhen në këtë dokument për Serbinë, dhe më herët po ashtu ka refuzuar të komentojë çdo dokument që rrjedh në publik.

Advertisement