Kosova
‘Srbska’ ndryshoi/ Trajkoviç: Me fotografinë e Vuçiç pas shpine
Ngjarjet e 24 shtatorit dhe përfshirja direkte e Milan Radoiçiç në sulmin terrorist në Banjskë, ka detyruar Listën Serbe që të futet në procesin e ndërrimit të kryetarit dhe posteve të tjera drejtuese. Zllatan Elek do të pasojë Goran Rakiçin në pozitën e kryetarit, ndërkohë që Dalibor Jevtic dhe Slavko Simic kanë mbijetuar, njëri si nënkryetar e tjetri vetëm anëtar.
Po çfarë mund të pritet nga kreu u ri i kësaj partie?
Politikania serbe me përvojë dhe këshilltarja e ministrit Nenad Rashiç, Rada Trajkoviç, thotë se nuk mund të pritet ndryshim i madh për aq kohë sa prapa shpinës së përfaqësuesve të Listës Serbe vazhdon të qëndrojë fotografia presidentit serb, Aleksander Vucic dhe përderisa s’ka distancim nga udhëheqësia e kaluar.
Trajkoviç ka thënë se është shumë e shqetësuar që Lista Serbe s’ka marrë përgjegjësi për Banjskën, teksa Milan Radoiçiç si nënkryetar i tyre ka pranuar përfshirjen direkte të tij në sulm.
“Unë e njohë shumë mirë Zllatan Elek. Ai është mjek dhe koleg i mirë, dhe s’po i vë në pikëpyetje aftësitë e tij as synimet e mira. Thënë këtë, unë jam shumë e shqetësuar që Lista Serbe s’ka marrë përgjegjësi për ngjarjet në Banjskë që kushtoi me jetët e 4 njerëzve, një polic i Kosovës dhe 3 të rinj serbë të Kosovës. Nënkryetari i tyre pranoi përfshirjen e tij direkte në këto ngjarje që çuan në tragjedi, por askush duket se s’po flet rreth kësaj. Për sa kohë fotografia e Aleksandër Vuçiçit është prapa përfaqësuesve të Listës Serbe dhe s’ka qëndrim publik nga ta që distancojnë veten, nuk do të ketë shumë ndryshime për të mirë“
Lista Serbe në faqen e saj zyrtare ka njoftuar për ndryshimet që kanë bërë në parti, ndërkohë që s’ka vonuar shumë dhe ka lëshuar edhe reagimin e parë ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet e tyre për “gërmim të varrezave ortodokse” në Veri të Republikës nga kompani kosovare. Pas ngjarjeve në Banjskë ndërkohë ka pasur një debat të madh nëse “Lista Serbe” duhet të shpallet organizatë terroriste, duke qenë se Milan Radoiçiç, si nënkryetar i tyre, e kishte pranuar publikisht se ka qenë organizator i Banjskës. Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa ka folur për zgjedhjet lokale, ka thënë se Lista Serbe duhet ta ketë vetëm një shqetësim, atë nëse do të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të Milan Radoiçiç.