Connect with us

Aktualitet

Strazimiri revoltohet me ata që ndjekin BBVIP dhe s’bëjnë revolucion

Ish-deputeti me kobure, Gent Strazimiri, është revoltuar me shqiptarët pse nuk reagojnë për situatën kritike, në të cilën, sipas tij, ndodhet Shqipëria.

Ai thotë se shqiptarët e kanë mëndjen të shohin “Big Brother” e “Përputhen”, edhe pse nuk kanë bukë të hanë.

Postimi i Strazimirit

‘Pane, amore e fantasia’ është një film i neorealizmit italian i vitit 1954 me regji të Luigi Comencinit.

Sekuenca simbol e filmit, është shumë therëse, të bën të qash e të qeshësh njëkohësisht.

Vittorio De Sica në rolin e “mareshalit”, komandantit të karabinierëve të fshatit, tek ecte rrugës sheh një individ të rreckosur të ulur rrëzë një muri në një rrugicë rrënojash, tek hante me shije një bukë të madhe, thatë, të mbledhur me gazetë…

“Çfarë po bën aty?”, e pyet.

“Po ha drekën, marescià! Bukë, djathë, sallam krudo dhe pak verë”, përgjigjet ai.

“Po djathin, sallamin dhe verën ku e ke?”, vazhdon ta pyesë i habitur De Sica.

“I kam në mendje, marescià”…

“Ahh…! Epo atëhere… të bëftë mirë….”!

Është Italia e pas luftës, e cila mes rrënojash përpiqej të gjente forcat për t’u ringritur, e që konsumonte vetëm dashuri që është falas dhe, një minimum konsumi aq sa buka thatë…

Mirëqenien e kishte thjesht një fantazi, në mendje…

Virtuale, do e quanim sot ne, në kohët “moderne”…

Nëse satira e neorealizmit italian ka fiksuar një moment psiko-social-ekonomik të Italisë së pasluftës, në Shqipërinë “moderne” ky është realitet propagandistik, e aspak “virtual”…

Virtualisht, një shqipëtar nuk ka nevojë të lodhet duke shkuar nëpër sportele për të marrë shërbimet që i nevojiten.

Gjithçka mund ta bëjë nga shtëpia, përmes e-Albania, si në Skandinaví…

Po s’besuat shihni lajmet e Top Channel…

Virtualisht, me një “click”, aty gjen çertifikatën e lindjes, martesës dhe të vdekjes, detyrimet e taksave dhe tatimeve etj, madje në “mënyrë të unifikuar përmes Ëeb 2.0”, i konceptuar me “qasjen” që në qendër të jetë qytetari….

E thotë krejt qartë Tv Klan në 5 kronikat e para të lajmeve të çdo dite…

Virtualisht mjekësia në Shqipëri është falas, si askund tjetër në botë.

Shteti shqiptar (aspak virtualisht) paguan disafish më tepër se çdo shtet tjetër për shëbimet që virtualisht marrin qytetarët në spitale, që nga sterilizimi e deri tek dializa…

E sqaron deri në detaje Report Tv, sa herë i duhet qeverisë…

Në këtë vendin që ha vërtetë vetëm bukë thatë, virtualisht, ekonomia rritet vit për vit, dhe ndërtimi i kullave për frymë popullsie krahasohet vetëm me Dubain…

Virtualisht, përmes sondazheve, 67 % janë të kënaqur me qeverinë dhe qeverisjen, madje kjo pasqyrohet edhe në zgjedhje, por 33% kanë ikur dhe 87% e atyre që kanë mbetur kanë vendosur të ikin…

Virtualisht, në këtë vend të rreckosur që ha bukë thatë në cep të rrugicës, demokracia funksionon si sahat, “online” përmes komisioneve parlamentare, madje pa patur nevojë për debat e as për opozitë…

Virtualisht, në këtë vendin ku çdo gjë vidhet hapur, me paralajmërim, ku virtualisht 7×7 bëjnë vazhdimisht 42, pandëshkueshmëria ka marrë fund por vjedhja vazhdon edhe më intensivisht…

Virtualisht kemi edhe prezenca diplomatike që po ashtu virtualisht na “përgëzojnë për arritjet e deritanishme” që i kemi në mendje, në fantazi e, në rrugë e sipër na urojnë “ahhh…epo atëherë… të bëftë mirë…”!

Virtualisht, në këtë vendin që çdo gjë tjetër përveç bukës thatë, e ka luks (përfshi edhe “dashurinë”), të gjithë bisedojnë vetëm për “Big Brother” e “Për’puthen”, por askush nuk pranon se e ndjek…

Nëse e pyet se nga i di zhvillimet e fundit deri në detaje, të përgjigjet se e ndjek ndonjëherë, rastësisht dhe, e bën vetëm për qëllime “studimore”, për të kuptuar se “a ka rënë vërtetë kaq poshtë kjo shoqëri”…

Gjithësesi një gjë është e sigurtë, e prekshme e aspak virtuale: ditën e transmetimit të tyre, Tirana është bosh.

Secili ka zënë cepin e tij të rrugicës për të shijuar me oreks copën e tij të “Big Brother”, duke patur në fantazi, në mendje, virtualisht, çdo gjë tjetër që duhet ta kishte realisht e që ia marrin çdo ditë, live, me paralajmërim…

Këtu realja dhe virtualja “Për’puthen” dhe shijohen plotësisht, prandaj nuk ka më as forcë për të reaguar… dhe nuk është film…

Advertisement