Connect with us

Bota

Sulm i rëndë në Itali/ Autobusi goditet me gurë pas ndeshjes së basketbollit, vritet shoferi, reagon Meloni

Një sulmi tronditës ndodhi mbrëmjen e djeshme në autostradën Rieti-Terni, ku një 65-vjeçar, Raffaele Marianella, shofer autobusi me origjinë nga Roma, por banues në Firence, humbi jetën pasi autobusi i tifozëve të ekipit të basketbollit të Pistoias u sulmua me gurë dhe tulla nga disa persona. Sipas ANSA, deri tani nuk ka asnjë të arrestuar, por hetimet vazhdojnë intensivisht nga Skuadra Fluturuese e Rietit dhe njësia speciale DIGOS, të cilat kanë marrë në pyetje rreth dhjetë tifozë të pranishëm në tribunën e ekipit vendas Sebastiani Basket Rieti.

Ngjarja ndodhi pas ndeshjes së vlefshme për kategorinë Serie A2, ku Sebastiani Rieti priti Estra Pistoia në stadiumin PalaSojourner. Autobusi që transportonte rreth 45 tifozë toskanë u sulmua afër kryqëzimit Contigliano (Rieti), teksa po kthehej në drejtim të Ternit, pa shoqërim policor.

Sipas Policisë së Rietit, autorët e dyshuar, që mendohet të jenë mbështetës të “Curva Rieti”, ishin fshehur pranë kryqëzimit dhe pritën kalimin e autobusit për të sulmuar. Një gur goditi xhamin e përparmë, duke plagosur për vdekje shoferin Marianella në fytyrë. Përpjekjet e ekipeve të emergjencës për ta shpëtuar ishin të kota.

Pas këtij lajmi të rëndë ka ardhur dhe reagimi i kryeministres italiane Giorgia Meloni e cila përmes një postimin në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë akt “çmenduri” dhe se autorët do të përballen me drejtësinë.

“Ky është një akt i papranueshëm dhune dhe çmendurie. Shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e viktimës dhe mbështetjen time për të gjithë ata që përjetuan këtë tragjedi. Besoj se autorët e këtij akti frikacak dhe kriminal do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.”- shkroi ajo.

Prokurori i Rietit, Paolo Auriemma, deklaroi për ANSA-n se hetimi është hapur për vrasje të qëllimshme.

“Nuk ka ende zhvillime të reja. Hetimi është hapur për vrasje të qëllimshme ndaj personave të panjohur. Disa dëshmitarë janë marrë në pyetje, por nuk ka ende autorë të identifikuar.”, u shpreh ndër të tjera Auriemma.

Ngushëllimet për viktimën nuk kanë munguar. Vajza e shoferit, Federica Marianella, shkroi në Instagram:“Do të të mbaj gjithmonë në zemrën time.”

Në një deklaratë zyrtare, klubi Sebastiani Rieti shprehu tronditjen dhe dhimbjen për ngjarjen: “Ndoshta nuk do të arrijmë kurrë ta përpunojmë plotësisht atë që ndodhi. Me kalimin e orëve, gjithçka bëhet më e rëndë dhe e pashpjegueshme. Ndërsa presim përfundimet e hetimit, kemi vendosur të ndërpresim çdo komunikim me mediat për një periudhë të pacaktuar, në shenjë respekti për viktimën dhe familjen e tij.”

Klubi thekson se asnjë prej anëtarëve të tij nuk është i autorizuar të bëjë deklarata publike, dhe se çdo komunikim i ardhshëm do të vijë përmes kanaleve zyrtare.

Advertisement