Aktualitet
Super arrestim nga SPAK? Hoxha paralajmëron: Presim lajm ‘bombë’ nga Rama
Gazetari Artan Hoxha ka reaguar në lidhje me arrestimin e një zyrtareje të Ministrisë së Shëndetësisë, për të cilën pati një qëndrim publik dhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Ai me tone ironike është tallur me qëndrimin publik të kreut të qeverisë, ku pritej një super arrestim nga SPAK. Artan Hoxha thotë se ky arrestim vjen nga radhët e veta, ndërsa hedh thumbin që pret një tjetër lajm më “bombë” se ky.
Postimi i Artan Hoxhës:
Mbani frymen njerez….
Duke pritur kryeministrin, te paralajmeroje nje lajm bombe, nje super arrestim te SPAK…
Besoj do ta kete lajm ekskluziv??!!
Eshte nga “te vetet”, nga ata qe “vjedhin dardha” pas shpines se komandantit…
Ka plasur konkurence e madhe per keto lajmet bombe.
Vate dhe ky zanati yne, tani qe perveshen menget KETA te medhenjte…
Deri para pak kohesh, konkuronim vetem me qytetarin digital te Marshallit.
Tani konkurenca eshte bere e ashper fare, me futjen në tregun e “lajmeve te hazerta” dhe te Padishaut dora vete…
Mos na zhgenje komandant…
Kete lajmin e fundit edhe “çunat” ne Dubai kane 24 ore, mezi po e presim te na e thuash…
Në takimin në kuadër të turit të falënderimeve që mbajti në Tiranë, kryeministri Rama tha se një ish-sekretare e përgjithshme është kapur në flagrancë duke marrë lekë. Rama iu drejtua me “ish-sekretarja”, duke lënë të kuptojë se ka firmosur dhe shkarkimin e saj, por nuk e përmendi me emër se për kë e kishte fjalën. Ndër të tjera shtoi se për drejtësinë e barabartë për të gjithë nuk ka kthim mbrapa, dhe as kompromis me askënd.
“Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, mungesa e sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”, tha ndër të tjera Rama.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. 330 mijë lekë ryshfet që dyshohet se u morën për favorizimin e një kompanie në procedurën e një prokurimi publik, çuan në pranga Sekretaren e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë.
SPAK njoftoi se paratë i janë dhënë zyrtares së lartë nga Laura Sheto, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, gjithashtu e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, për të favorizuar një kompani në një tender. Shuma e lekëve u gjet në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, fill pas arrestimit të saj nga policia. Tenderi, për të cilin dyshohet se ka marrë ryshfet Joana Duro ishte per “Supervizimi për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”, Loti i Parë.