Zviceranët ishin tashmë të irrituar nga kërcënimi fillestar i Trump-it në prill, për një tarifë 31% ndaj mallrave të tyre. Kur Shtëpia e Bardhë shpalli normat e rishikuara të enjten vonë, zviceranët mbetën të shokuar kur panë se tarifa, tashmë e lartë, ishte rritur edhe më tej. Ndërkohë, shumë nga tarifat për vende të tjera u ruajtën ose u ulën disi në rishikimin e bërë nga administrata Trump.
Tani, produktet zvicerane të importuara në SHBA – përfshirë farmaceutikët, instrumentet precize dhe madje edhe kapsulat e kafesë – do të përballen me tarifën 39%, nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare deri më 7 gusht.
Stefan Legge, drejtues i politikës tatimore dhe tregtare në Institutin Zviceran për Ligj dhe Ekonomi, tha se një marrëveshje ende mund të ndodhë në çdo moment, duke pasur parasysh historikun e Trump-it me njoftime të papritura. “Por gjëja më irrituese është që ne vazhdojmë të jemi në këtë situatë pasigurie,” u shpreh ai.
Shoqatat e biznesit zviceran kërkuan negociata urgjente dhe paralajmëruan se, pa një marrëveshje tregtare, mallrat zvicerane në SHBA do të bëhen ndjeshëm më të shtrenjta sesa ato të importuara nga Bashkimi Evropian – i cili ka negociuar një tarifë 15% – apo Britania, me një tarifë prej vetëm 10%.
Aksionet e kompanisë Watches of Switzerland, një shitës britanik i orëve luksoze – një nga eksportet kryesore zvicerane ranë me mbi 6%, duke arritur nivelin më të ulët në vite.
Zonja Keller-Sutter tha se për Presidentin Trump, deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën ishte “një çështje kyçe” pas vendimit për tarifat. Por mbi gjysmën e këtij boshllëku tregtar vjen nga eksporti i arit – në forma të pastra apo shufra i rafinuar në fabrikat zvicerane dhe i eksportuar në sasi të mëdha drejt SHBA-së. Banka qendrore zvicerane ka sugjeruar që ari të mos përfshihet në bilancin tregtar. Importet e arit janë të përjashtuara nga tarifat e vendosura nga Trump.
Duke përjashtuar arin, produktet farmaceutike janë eksporti më i madh i Zvicrës drejt SHBA-së. Industria farmaceutike përfshirë gjigandët Roche dhe Novartis është në tension pas letrave që administrata Trump u ka dërguar të enjten të gjitha kompanive të mëdha farmaceutike, duke kërkuar ulje të çmimeve për konsumatorët amerikanë.